Niveli i listave të mbyllura PS dhe PD, si qesëndia e Saramagos
NGA BEN ANDONI
Listat e mbyllura të PS-së dhe PD-së, dy partive tona të mëdha në qarqet kryesore, ka treguar realisht fizionominë e grupeve politike që mëtojnë, ose duan t’i afrohen pushtetit. Do të punojnë më të ndjekurit dhe më punëtorët në Listat e Hapura, do të vegjetojnë ata në Listat e Mbyllura, militantët do të duhet të robtohen për votat e formacioneve, kryetarët do të mbledhin frytet, duke ngritur kultin e tyre (me fjalimet patetike).
Nobelisti Jose Saramago, shkrimtari i njohur i “Verbërisë”, e cilësonte jo shumë ndryshe, por në një aspekt piramidal në karakterin social një kuadër gati të tillë: “Shpërndarja e detyrave midis punonjësve të ndryshëm ndjek një rregull të thjeshtë, që është se: detyra e anëtarëve të secilës kategori është e detyruar të bëjë sa më shumë punë të jetë e mundur, në mënyrë që vetëm një pjesë e vogël e asaj pune të kalojë në kategorinë e mëlartme.
Kjo do të thotë se nëpunësit e thjeshtë (lexo: punëtorët-militantët) janë të detyruar të punojnë pa pushim nga mëngjesi deri në mbrëmje, ndërsa nëpunësit (shefat e vegjël) e bëjnë këtë herë pas here, ata që vinë sipër tyre, por që janë poshtë shefit (të dërguarit e kryetarëve: Shefat e qarqeve) shumë rrallë, kurse Ofiqari (Kryetarët) pothuajse kurrë”. Listës i mungon vetëm paradoksi, sepse kryetarët dalin në terren dhe flasin sikur të mos jenë përballë shqiptarëve që i kanë nanuritur 4 vite me radhë. Më 12 maj do të shikojmë pas përfundimit të votimeve të gjithë këtë konfigurim të listave, por edhe pasojat e shumta të pakënaqësive që tashmë u nxorën nga disa personazhe të partive për listimin e tyre, por që me certifikimin e zgjedhjeve, do të jenë me gjasa shumë më tepër.
E para, sepse një pjesë di vetëm të bëjë një punë që shpesh ka treguar se nuk është punë, pasi thjesht në parlament janë kartonëngritës, kurse e dyta lidhet me humbjen e përfitimeve që përkthehet edhe në mungesë pushteti për njerëzit e parlamentit. Dhe, shëmbëllimi i deputetëve tanë me strukturën e Saramagos mbetet, pasi politika e sotme nuk kuptohet si punë, por si mënyrë për të punuar sa më pak që të jetë e mundur, duke maksimalizuar përfitimet. Pasojat dihet dhe i shikojmë në indikacionet social-ekonomike të vendit dhe shqiptarëve të thjeshtë.
/Gazeta Panorama