“Paniku i shtirur i z.Vuçiç nga aleanca ushtarake Kroaci– RSH-Kosovë”
NGA PIRO AHMETAJ
Sigurisht e kam ndjekur me përgjegjësi të shtuar, dalldisjen e radhës së Presidentit Vuçiç, mbas nënshkrimit të marrëveshjes ushtarake midis Republikës së Kroacisë, Kosovës si dhe të Shqipërisë. Në pamundësi t’iu përgjigjem veçmas mediave brenda dhe jashtë vendit, në vijim gjeni një përgjigje të përbashkët mbi burimin e panikut të shtirur, kërcënimeve delirante të z. Vuçiç, si dhe rekomandime për paqen dhe ardhmërinë euroatlantike të vendeve dhe popujve të Ballkanit Perëndimor.
Asgjë e re nuk ka ndodhur! I pushtuar nga oshilacionet që ende bubullojnë nga “bombat e perëndimit mbi bunkerin Millosheviçit 26 vjet më parë”, si dhe nga paranoja ballkanike e përjetësimit të pushtetit, dhe i tmerruar nga revoltat që pushtuan Beogradin dy javë më parë, Presidenti i Serbisë z.Vuçiç, demonstroi: “Revoltën e madhe të Beogradit ndaj një garë armatimesh në rajon” duke iu referuar marrëveshjes së nënshkruar nga respektivisht 3 ministrat e Mbrojtjes në Tiranë më 18 mars.
Nuk është hera e parë (ka me dhjetëra në 26 vitet e pas çlirimit të Kosovës nga USA/NATO) dhe sigurisht s‘ka për të qenë e fundit. Për ta ilustruar riciklimin e turfullimeve të radhës, po sjell në vëmendje janar 2024 kur: “DASH/SHBA konfirmoi shitjen e 246 raketave Javelin (antitanke, vetëm për mbrojte) me vlerë prej 75 milionë dollarë për Forcat e Sigurisë së Kosovës për të përmirësuar aftësitë mbrojtëse të Kosovës dhe ndërveprueshmërinë me NATOn”!
Duke shprehur mbështetjen dhe komplimente ndaj 3 ministrave nënshkrues, në kapacitetin e ekspertit për çështjet e SK, rajonit dhe USA/NATO (pra jo revolte patriotike), me vijim po paraqes vlerësime, përgjigje si dhe këshilla strategjike ndaj panikut të shtirur të z.Vuçiç.
Së pari, e këshilloj Vuçiç të vetëpërmbahet, të mos vijojë të bëjë as viktimën e llastuar, as trimin e tërbuar dhe as donkishotin e moderuar duke u vetëbarazuar me Trump-in në Ballkan. Për të thënë të vërtetën: “Rolin e viktimës, pra nga palë humbëse/përgjegjëse për krime ndaj njerëzimit”, nuk është se e ka ushtruar keq dhe Serbia ka përfituar jo pak deri më 2014. Por, mjaft është mjaft!
Së dyti, në asnjë pikë, asnjë rresht dhe asnjë germë të marrëveshjes në fjalë nuk gjej (pasi nuk ka) asnjë qëllim kërcënues ose armiqësor ndaj sovranitetit dhe interesave të Serbisë. Në të kundërt, kjo marrëveshje ka për qëllim vetëm “promovimin e aftësive mbrojtëse dhe bashkëpunimin midis industrive të mbrojtjes, forcimin e ndërveprimit nëpërmjet edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve, kërcënimet hibride, si dhe mbështetjen e plotë për integrimin euroatlantik”, përfshi Kosovën (meqenëse e tërbon Beogradin) nga çdo kërcënim potencial, që për fat të keq, mbetet e vetidentifikuar Serbia.
Thënë këtë, edhe pse të ashpër diplomatikisht, po e citoj përgjigjen e Kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviçit: “Shpresoj se dikush do të marrë pesë minuta kohë për të lexuar marrëveshjen mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Nuk ka asnjë natyrë armiqësore dhe nuk ka nevojë të pyesim Serbinë dhe as NATO-n”.
Së treti, për sa kontekstin e ankesës në Bruksel: “Se NATO-ja nuk ka qenë e njoftuar për këtë”, e gjej si delirancë të këshilltarëve të z. Vuçiç (por si të gjithë autokratët e ka zënë sëmundja e të gjithëditurit), si ekspert me eksperiencë më shumë se modeste në NATO, konfirmoj se iniciativat, marrëveshjet dhe projektet rajonale janë të inkurajuara nga koncepti strategjik i NATO-s, si dhe të imponuara nga qasja pragmatike e Presidentit Trump. Si i shembull, përmend marrëveshjet ushtarake ndërmjet 3 vendeve baltike; 3 vendeve nordike, 7 vendeve të Vishegradit dhe shtoj se pavarësisht se të gjitha anëtare në NATO, kanë nënshkruar marrëveshje të ngjashme në fushën e mbrojtjes.
Së katërti, përpara të bëjë potere për/ në NATO, do të duhet që Beogradi zyrtar të qartësojë disa PSE (?) psh., për marrëveshjet e: “bashkëpunimit ushtarak (Mig-29, raketa, tanke) me Rusinë(?); për prodhimin e raketave dhe dronëve me Kinën (?) blerjen e 12 avionëve të gjeneratës së fundit “Rafalo” me Francën (?) etj.! Ndërkohë, që të gjitha këto janë armatime sulmuese/vrasëse jo vetëm kërcënojnë tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës, por edhe hedhin në erë status-quonë gjeopolitike, investimin dhe interesat USA, NATO dhe BE për paqen, stabilitetin dhe agjendën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor. Prandaj fillimisht do duhet t’u konfirmohet zyrtarisht SHBA/NATO/BE, por edhe popullit serb, pse Beogradi harxhon mbi 1.5 miliardë euro në vit (pra më shumë se Kroacia, RSH dhe Kosova së bashku), për armatosjen deri në dhëmbë (me tanke, Mig-29, helikopter luftimi Mi-35, raketa “Pantsir”-s, FK-3, etj.) (?), kur dihet që Serbia ka zero kërcënime dhe zero kapacitete, ose këllqe të sfidojë fuqinë ushtarake të USA/NATO/UK.
Së gjashti, përpjekjet për të testuar kohezionin mes 32 vendeve të NATO-s, përfshi këtu edhe tentativën e fundit cinike për bashkëpunim ushtarak me Hungarinë, nga kapaciteti ekspertit garantoj se edhe kjo do të dështojë me turp para se Vuçiç të ketë ikur nga pushteti. Kjo, pasi në këtë rast (dike i hedhur benzine Ballkanit), Hungaria nuk do të tolerohet jo vetëm nga vendet e rajonit, por edhe nga Presidenti Trump, UK, Gjermania dhe jo vetëm.
Së shtati, pretendimin e Presidentit Vuçiç se “ky memorandum shkel marrëveshjen e armëve të vitit 1996 të nënshkruar në Firence ndërmjet Kroacisë dhe Republikës së atëhershme Federale të Jugosllavisë, Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës (?!)”, e gjej tërësisht qesharak, pasi RFJ (që përfshinte edhe Malin e Zi) ka mbaruar/kapitulluar në 1999 bashkë me të gjitha marrëveshjet në fushë e mbrojtjes dhe sigurisë. Thënë këtë, është Beogradi që nën orkestrimin e Moskës, ka shkelur me të dyja këmbët marrëveshjen dhe miliarda dollarë investime të SHBA-ve për ndërtimin e masave të mirëbesimit reciprok në Ballkan (SCBM)!
Së teti, shtatë gjetjeve të sipërpërmendura, po u shtoj edhe 3 këshilla strategjike ndaj Beogradit zyrtar: (a) Të heqë dorë nga oshilacionet për: “kufijtë e rinj shtetërorë në rajon si dhe kërcënimet ushtarake ndaj sovranitetit të Kosovës, e cila prej 1999 mbetet nën përgjegjësinë e KFOR/NATOs. (b) Të mos harxhojë kot para nga taksat e popullit serb për armatime moderne, pasi asnjë nga 3 vendet nënshkruese dhe as të tria së bashku nuk e kërcënojmë ushtarakisht Serbinë. Në të kundërt, armatosja deri në dhëmbë e Serbisë i shërben vetëm “luftës për pushtet në Beograd, interesave të Kremlinit, krimit të organizuar si dhe të ultra-nacionalistëve jo vetëm në Serbi”. (c) Revoltat e studentëve i hoqën maskën pazareve të/për agjendën e z. Vuçiç si faktor i vetëm i moderuar përkundër “rivaleve ekstremistë në Beograd, si dhe përpjekjeve për ‘të pirë’ nga 5 nëna (Moska, Brukseli, Pekini, Parisi dhe Uashingtoni)!
Në shtesë, duke përsëritur konsideratat ndaj 3 ministrave të Mbrojtjes, do të këshilloja Zagrebin, Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, që përkundër “përpëlitjeve dëshpëruese të Beogradit”, ta zgjerojnë këtë marrëveshje edhe me 2 vendet e tjera NATO-s në rajon (Mali Zi dhe Maqedonia e Veriut). Kështu përtej “shpërdorimit politik” do duhet ta materializojnë edhe me projekte konkrete si për policimin ajror, emergjencat civile, sigurinë kibernetike, ndaj të cilave asnjë nga vendet tona nuk është imune dhe as mundet kurrsesi të zhvillojë kapacitete për t‘u mbrojtur më vete. Ndërsa posaçërisht për ministrin, z. Vengu, jo vetëm që shpreh publikisht komplimente të merituara për kurorëzimin e kësaj përpjekje në Tiranë, por edhe e inkurajoj që RSh të iniciojë një vlerësim strategjik ( bashkërisht me Kroacinë, Malin e Zi dhe MV) rreth kërcënimeve kritike të rajonit (e ngjashme me atë t ë PMR që zhvillon NATO) për të kërkuar/prezantuar në një mbledhje të posaçme të NAC/Bruksel. Më tej në këtë vlerësim do duhet të konsiderohen edhe shqetësimet për “armatosjen deri në dhembë të Serbisë si dhe shpërdorimi për interesat ruse në rajon” etj., në mënyrë që të miratohet nga 32 vendet (përfshi Francën, Hungarinë, etj.), si një direktivë e përbashkët, ku të konfirmohen jo vetëm qëndrimet e vendeve anëtare ndaj këtij vlerësimi, por edhe vendosmëria zyrtare për të forcuar kohezionin dhe përpjekjet për paqen dhe agjendën e integrimit euroatlantik edhe të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa faktorët politikë, aktorët zyrtarë dhe strategjistët/ kolegët në Zagreb, Prishtinë, Tiranë, Uashington, Bruksel etj., do t’i sugjeroja që perspektivën e stabilitetit në rajon dhe bashkëpunimin me Serbinë do të duhet ta parakushtëzojnë me rikthimin e dy Masave të Mirëbesimit Reciprok (CSBM), nëpërmjet të cilave “Beogradi Zyrtare të imponohet” se: (1) Do të ruajë balancat e fuqisë ushtarake sulmuese (armatime, si Mig-29, raketa Pantsir-S dhe FK-3, etj.) deri në nivelin që reciprokisht të mos kërcënojë integritetin territorial. (2) Nuk do të vendosë instalime dhe aktivitete ushtarake (20 km distancë ajrore dhe 5 tokësorë), në kufijtë ndërshtetërore mes vendeve të rajonit.
Nga ana tjetër do t’i këshilloja vëllazërisht faktorët e Prishtinës zyrtare që: “Riciklimi i panikut të shtirur si dhe të kërcënimeve delirante të Beogradit ndaj kufijve shtetëror të Kosovës”, kurrsesi të mos i konsiderojnë si dhurata, por si përgjegjësi e lartë shtetërore për të ndërtuar Kosovën moderne, përtej prezencës së NATO-s (që nuk mundet të jetë e përjetshme), vendin ku qytetarët pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin të rolit të Kosovës nga konsumatore në kontribuuese për paqen, stabilitetin demokratik dhe për integrimin në NATO dhe BE! Në të njëjtën kohë, do të rikëshilloja faktorët institucionalë në Tiranë dhe Prishtinë, që për interesa jetike kombëtare, të tejkalojnë epshet e politikes për mbajtjen ose marrjen e pushtetit, por të përulen në gjunjë para përgjegjësive shtetërore duke jetësuar platformën e përbashkët: “2-Shtete sovrane 1-Komb i vetëm”, duke e konsultuar dhe garantuar SHBA dhe NATO se kjo “qasje/smart e vonuar” nuk kërcënon Serbinë, por do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjatë ndërmjet vendeve të rajonit. Me këtë rast, rikonfirmoj se, mbetem edhe me i përkushtuar për të kontribuar me përgjegjësi, përulës dhe eksperiencën euroatlantike për mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kombëtare si dhe për forcimin e partneritetit strategjik me USA/NATO-n.
/Gazeta Panorama