Tue, Apr 1, 2025

E rëndë/ 35-vjeçarja shtatzënë e bllokuar për më shumë se 50 orë nën rrënojat e pallatit të shembur nga tërmeti në Mianmar nxirret e pajetë nga gërmadhat

  • PublishedMarch 30, 2025

E rëndë/ 35-vjeçarja shtatzënë e bllokuar për më shumë se 50 orë nën rrënojat e pallatit të shembur nga tërmeti në Mianmar nxirret e pajetë nga gërmadhat

Një grua shtatzënë e cila u shpëtua nga ekipet e shpëtimit sot pasi kaloi rreth 50 orë nën rrënojat e një ndërtese banimi në Mandalay, dy ditë pas tërmetit 7.7 Rihter në Mianmar , ka ndërruar jetë, raporton AFP.

Ekipet e shpëtimit menduan se i kishin shpëtuar jetën 35-vjeçares Mathu Tu Lwin, por për fat të keq e shpallën të vdekur menjëherë pasi e nxorën nga rrënojat e pallatit 12-katësh Sky Villa, i cili u shkatërrua nga tërmeti i fuqishëm 7.7 Rihter që goditi Mianmarin të premten e 28 marsit.

Kujtojmë se numri i të vdekurve nga tërmeti sipas të dhënave të deritanishme është 1700, të lënduar janë raportuar 3400 dhe të zhdukur 300.

Mianmari është në mes të një lufte të gjatë dhe të përgjakshme civile, e cila tashmë ka shkaktuar një krizë të madhe humanitare.

Kjo e bën lëvizjen nëpër vend si të vështirë ashtu edhe të rrezikshme, duke i ndërlikuar përpjekjet e ekipeve të shpëtimit dhe duke rritur frikën se numri i viktimave mund të rritet ndjeshëm.

Tërmeti goditi mesditën e së premtes (28 mars) me epiqendër jo shumë larg Mandalait, dhe u pasua nga disa pasgoditje, përfshirë një të fuqishme 6.4 ballësh.

Tërmeti rrëzoi shumë ndërtesa, përfshirë disa njësi që strehojnë nëpunës civilë të qeverisë, por ajo zonë e qytetit u bllokua nga autoritetet të shtunën.