Tue, Apr 1, 2025

Kalendarit kulturor në Durrës do t’i mungojnë disa faqe në 2025-ën

  • PublishedMarch 30, 2025
Kalendarit kulturor në Durrës do t’i mungojnë disa faqe në 2025-ën

Një sërë festivalesh me karakter artistik e kulturor, të cilat u themeluan në Durrës në fillim të viteve 2000, tashmë janë ndërprerë.

Qyteti antik nuk arriti të krijojë një traditë, me gjithë përpjekjet e artistëve dhe poetëve, që u dhanë jetë atyre.

“Poeteka”, Bienalja “Netët e Muzikës Klasike”, Festivali Ndërkombëtar i Filmit apo ai i Dancit Modern dhe Kontemporan, fituan admirimin e publikut, por njëkohësisht edhe indiferencën e pushtetit vendor e qendror.

I vetmi aktivitet i traditës që ka mbijetuar prej dy dekadash mbetet “Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës”.

Poetët durrsakë mbajnë mend vjeshtën e vitit 2005, kur sirenat e anijeve në port lajmëruan ditën e parë të festivalit “Poeteka”. Nga ajo ditë, në qytet u zhvilluan 11 edicione të festivalit, me poetë të ardhur nga Ballkani, Evropa dhe SHBA.

“Programi ishte mjaft i ngjeshur dhe po ashtu edhe stacionet ku ndali Festivali,” tha për BIRN shkrimtari dhe studiuesi Arjan Leka, themelues i “Poetekës”.

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, partner me disa festivale të rëndësishme europiane, u vlerësua si veprimtaria kulturore shqiptare më e mirë e vitit 2009.

Që në edicionin e parë, “Poeteka” krijoi standardin dhe formatin, pasi kishte pjesëmarrje nga 25 shtete.

“Çmimi ‘Unaza Poeteka’ – vepër unike e Pirro Ruços – mbetet edhe sot referencë në çmimet europiane të poezisë së kontinentit,” shprehet Arjan Leka.

Leka thekson se krijimi dhe përparimi i një festivali të poezisë bëhet më i mundur kur ai gjen mbështetjen e autoriteteve.

“Tradita e krijuar në qytetin e Strugës, ku janë paraqitur me poezinë e tyre 7 nobelistë, është shembulli më i mirë për këtë,” tha Leka.

Të njëjtin vendim për ndërprerjen e Bienales “Netët e Muzikës Klasike” mori, 20 vjet pas edicionit të parë për shkak të mungesës së financimit, edhe violinisti durrsak Florian Vlashi, që punon dhe jeton në Korunja (Spanjë).

“Për mua, mbyllja e Bienales ishte ikja e dytë nga Durrësi,” tha Vlashi, ndërsa shtoi se “mbyllja ishte e dhimbshme për të gjithë.”

“Nuk është për numrin e koncerteve, se sa për gjurmën që linte në jetën kulturore të qytetit, si kolonë e identitetit kulturor kombëtar ku merrnin pjesë të gjithë; siç duhet të jetë një festë e bukur e muzikës,” theksoi ai.

Sipas Vlashit, edicioni i 20-vjetorit të Bienales, që i dedikohej detit, u përgatit në të gjitha detajet, përfshi këtu edhe premierën e tre veprave madhore shqiptare nga Buharaja, Gjevelekaj dhe rikuperimin e krijimtarisë së Shaqir Kodrës. Ai shtoi se po krijohej edhe një urë lidhëse me solistët nga ‘Deutsches Symphonie-Orchester’ në Berlin.

“Por, ky edicion u anulua për mungesë financimi nga institucionet e Tiranës dhe Durrësit,” tha me keqardhje Vlashi.

Të njëjtën ndjesi trishtimi ka edhe , kineaste, e cila në vitin 2008 filloi “aventurën” e festivalit të filmit.

“Gjithçka u bë për ‘Durrës International Film Festival’ u duk si një mision i pamundur, për vazhdimësinë e ekzistencës së tij ndër vite,” tha ajo.

Bashkë me artistët shqiptarë të artit të shtatë, pjesëmarrës në edicionet e Festivalit të Filmit, Varfi sjell në kujtesën e lexuesve edhe artistët e huaj, disa prej të cilëve të nderuar me çmime Oscar si , , , , , Jan Harlan, , , Jiří Menzel, Maia Morgenstern, , Krzysztof Zanussi.

Durrësi zhvilloi një festival filmi, megjithëse qyteti antik nuk kishte kinema, një institucion i pandërtuar ende sot.

“Sa më shumë rritej festivali ndër vite, aq më e vështirë bëhej vijimësia e tij,” tha Varfi, 11 vjet pasi festivali i filmit është ndërprerë.

“Paradoksalisht, pamundësitë për të realizuar festivalin ishin më kokëforta se qëllimi dhe vullneti për ta organizuar atë,” shtoi ajo.

I vetmi festival i traditës në Durrës mbetet “Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës”, i cili në periudhën qershor-korrik të këtij viti do të paraqitet në edicionin e 20-të të tij.

“Festivali ka mbijetuar falë pasionit, megjithë mungesat financiare në disa vite,” thotë , drejtoreshë e tij.

“Kemi gjetur mbështetjen e institucioneve të huaja në vendin tonë,” shtoi ajo, ndërsa nuk harron të nënvizojë vështirësitë e krijuara nga mungesa e sallave të koncerteve.

Duke folur për përvojat e tij në Spanjë, violinisti Florian Vlashi kujton Festivalin e Muzikës Klasike në Bilbao, ku marrin pjesë 1400 muzikantë nga e gjithë bota dhe realizohen 70 koncerte në 3 ditë.

“Ky qytet, me 350 mijë banorë, gati sa Durrësi, pësoi një transformim rrënjësor të jashtëzakonshëm nga politikat kulturore,” tha ai, ndërsa kujtoi ndërtimin e muzeut Guggenheim, 16 bibliotekat publike, Festivalin e Muzikës Klasike, të cilat sollën bum të madh ekonomik dhe turizmin kulturor.

“Në këto 33 vite në festivale kam kuptuar një gjë thelbësore: për të arritur të tilla nivele, nuk duhet thjesht ana ekonomike, por një respekt i thellë për kulturën dhe traditën,” përfundoi Florian Vlashi.