Wed, Apr 2, 2025

Adoleshenca, hallkë e dobët në zinxhirin e shoqërisë

  • PublishedMarch 31, 2025

Adoleshenca, hallkë e dobët në zinxhirin e shoqërisë

NGA GËZIM TUSHI 

Kjo mënyrë klasike, e vjetër, arkaike e analizës dhe vlerësimit të “krimit minor”, sidomos të adoleshentëve, jo vetëm është inproduktive dhe pa rezultat, por bëhet shpesh një “perde”, që errëson nevojën e shikimit të thelluar të ontologjisë së shkaqeve moshore, komponentëve sociale, edukative e material, fenomenologjisë së formave të komportimeve asociale, të dhunshme, antihumane e kriminale të adoleshentëve. Akoma shteti, shoqëria dhe institucionet e saj themelore sikurse janë familja, shkolla, media, organet e policisë dhe drejtësisë nuk kanë një strategji sintetike e sinkretike, të ndërtuar mbi bazë të një procesi diagnostikues të faktorëve të brendshëm moshorë dhe analizë gjithëpërfshirëse të faktorëve individualë e socialë, që ndikojnë në përfshirjen e tyre në këto akte. Jo vetëm kaq, por rrallëherë dhe në mënyrë spontane, janë zhvilluar debate të gjëra, intensive, sensibilizuese për problemet e adoleshencës. Gjithnjë duhet të ndodhë një ngjarje tragjike, që ajo të shërbejë si “casus belli” për t’u marrë ca ditë të gjithë en block, por pa mendim strategjik për shkaqet e “krimit minor”, pa një projekt perspektiv për parandalimin, zbutjen e këtij fenomeni në rritje. Kjo situatë na obligon, që me përgjegjësi shtetërore dhe angazhim prej vërteti të strukturave sociale, të bëjmë një debat të integruar, të vazhduar, intensiv, “inkandeshent”, duke përfshirë të gjithë faktorët që kanë peshë, përgjegjësi për këtë realitet të jetës së adoleshentëve, që janë qytetarët e ardhshëm të këtij vendi.

Qofshin faktorë, struktura sociale të parandalimit apo edukimit, apo aktorë themelorë të intervenimit të personalizuar edukativ, sikurse janë prindërit, mësuesit, psikologët, sociologët, autoritetet zyrtare të shtetit, media dhe shoqëria. Përtej dhimbjes së natyrshme, revoltës sociale që ndjejmë në momentet kur humbasin jetën adoleshentët, apo kur si shoqëri përballemi me ngjarje kriminale tronditëse, duke parë dhe vlerësuar dështimet, “abortet edukative”, që na ndodhin në procesin e edukimit human, formimit qytetar të adoleshentëve, duhet reflektuar, se çfarë duhet të bëjmë ndryshe nga ajo që kemi bërë, për të frenuar fenomenin e dhunës verbale, fizike, seksuale e kibernetike shkaqeve dhe përgjegjësive sociale, individuale, shtetërore apo të ndërlidhura, të përziera e të sintetizuara në një strukturë ndikuese kompakte. Sepse në një vështrim sintetik, “adoleshenca përmban brenda vetes, në mënyrë të thelluar, problemet e qytetërimit tonë”, – thonë sociologët (Edgar Morin, Rruga”, f. 373).

Në këto kushte, nuk mund të tolerohet neglizhenca sociale, indiferentizmi i strukturave të edukimit dhe mbrojtjes sociale, përgjegjësitë e shkollës dhe familjes, detyrimet deontologjike të medias dhe shoqërisë civile, përballë këtij shqetësimi absolutisht kombëtar. Sepse sasia, intensiteti i ngjarjeve kriminale që ndodhin midis adoleshentëve, në marrëdhëniet e tyre të “brendshme” flasin për një situatë të vështirë, kur adoleshentët për shkak të veçorive moshore dhe influencave sociale toksike, ndihen të kërcënuar nga “vetja”, për shkak të moshës, kontradiktave të brendshme moshore, që lidhen me momentin e vështirë të kalimit nga fëmijëria në adoleshencë. Ky problem lidhet me fenomenologjinë e zhvillimeve të vrullshme që ndodhin brenda tyre, në “mishin” e tyre. Por në të njëjtën kohë, kjo situatë është rrjedhojë e rrethanave sociale, ndikimit negativ të faktorëve të jashtëm, sikurse janë klima e dobësimit strukturor dhe ndikues të institucioneve të edukimit, influencuar edhe me një lloj neglizhence të përhapur kundër rolit të edukatës dhe vlerës së edukimit, e bashkuar me situatën e “sfilitur” e fuqisë edukative të integruar të instrumenteve me ndikim strategjik sikurse janë familja, shkolla, shteti dhe shoqëria, mungesa e nivelit të duhur të prindërimit apo problemet që lidhen me ndikimin e drobitur edukativ dhe reduktimin e përgjegjësisë pedagogjike të shkollës.

Më vjen keq që në debatin publik kur ndodhin ngjarje tragjike e akte kriminale midis adoleshentëve, shpesh ka argumentime sempliste të shkaqeve, duke parë gjërat anësore e rrethanore. Kjo e shoqëruar me qëndrime të përcipta, emocionale dhe empirike, për fat të keq edhe nga profesionistë të fushës psiko-pedagogjike, të cilët në jo pak raste bëjnë diagnoza të sipërfaqshme të shkaqeve dhe përgjegjësive të “krimit minor”, duke e parë fenomenin të ekskluduar nga rrethanat, kushtet në të cilat rriten fëmijët, duke e gjykuar situatën të palidhur organikisht me përgjegjësinë sociale, dobësimin e ndikimit të dy institucioneve kryesore të edukimit, sigurisë morale, sikurse janë familja dhe shkolla. Padyshim, adoleshentët rriten në këtë klimë sociale neurotike, me efekte të caktuara negative, që kanë ndikim të drejtpërdrejtë e të tërthortë në mënyrat e sjelljes së tyre. Në këtë kontekst, ajo që është gjëja e parë që duhet kuptuar mirë dhe interpretuar drejt, është e vërteta që adoleshentët duhen konsideruar “viktimë” e rrethanave sociale, e sistemit të shkalafitur edukativ. “Mëkatare e parë” në këtë situatë është shoqëria, e cila po përjeton një shpërthim toksik të kriminalitetit, përhapje të klimës së dhunës, shoqëruar me tendencën e frikshme, që është kthyer në “ideologji sociale”, sipas së cilës në këtë kohë që jetojmë, arritja e suksesit është e lidhur me njeriun e fortë. Propaganda që bëhet me adoleshentët është pothuaj me tendenca regresive. Sepse në vend që tek ata të kultivojmë ndjenjat humane, sjelljen qytetare, tipike për një shoqëri njerëzore me lidhje dhe marrëdhënie koherente, por iu futim në shpirt, rrënjosim në gjakun e tyre, kundërkulturën se jetojmë në një shoqëri, në të cilën suksesi, arritjet, performanca janë kriteret e vetme të vlerësimit, se ato nuk kanë të bëjnë me “tjetrin” dhe shoqërinë, ato janë thjesht përgjegjësi që plotësohen në mënyrë individuale.

Një “helm” social që po “injektohet” tek adoleshentët në familje, shkollë, në krijimin dhe zgjidhjen e gabuar të kontradiktave që krijohen midis tyre. Sidomos me ndikim toksik është situata në familjet e agravuara nga grindjet, dhuna, konfliktet, mungesa e përgjegjësisë, artit të prindërimit dhe mënyrat e komunikimit me adoleshentët e sotëm. Janë shtuar familjet e mbushur me kontradikta e konflikte. Kjo situatë patologjike e dobësimit të “përgjegjësisë prindërore” bashkë me një lloj njëanshmërie edukative të shkollës dhe përhapjes e zgjeruar dhe ndikimin e “limfës së krimit” ka sjellë situatën e mungesës së zgjidhjeve racionale e me vetëpërmbajtje, tolerancë, mirëkuptim, pa dhunë, me ndërveprime të qeta midis adoleshentëve. Padyshim, marrëdhëniet me adoleshentët nuk janë të lehta për t’u ndërtuar, sepse kjo është moshë e kontradiktave të thella, e rreziqeve që burojnë së pari nga “mosha plastike” e tyre, si proces kalimi nga fëmijëria në adoleshencë, që është moment me rëndësi i rritjes, por edhe i “krizës” që burojnë prej kontradiktave endemike biologjike që sjell kalimi në pubertetit, shoqëruar me pjekurinë seksuale, që i bën ata të mendojnë se tashmë janë të rritur, për pasojë duhet të ndryshojnë sjelljen, qëndrimet në raport me prindërit, mësuesit, shokët dhe shoqet e tyre. Pikërisht kjo është njëra nga arsyet, në mos kryesorja dhe determinante, pse duhet të bëhemi të ndërgjegjshëm në rolet si prind, mësues, edukator. Në të njëjtën kohë, të kuptojmë rreziqet eminente të kësaj moshe, sikurse janë shfaqjet e dhunës, bullizmit, stresit, rebelizmit, abuzimit me substancat psikotrope (drogë e alkool), braktisjen e shkollës etj.. Unë besoj se duhen bërë reflektime të thella për situatën e adoleshentëve. Nga familja e shkolla, nga politika e shoqëria, media, organet e parandalimit dhe ndëshkimit të krimit. Nuk mund të vazhdojmë me shikime të përcipta, trajtime empirike të problemeve, përplasjeve dhe mungesës së komunikimit me adoleshentët. Nuk është fare normale, që shpeshherë më shumë diskutojmë për teknikalitetet e krimit, apo masat e ndëshkimit të adoleshentit që kreu krimin, se sa për përgjegjësinë sociale, diagnostikimin e shkaqeve biologjike, psikologjike e sociale të këtij niveli të zgjeruar të bullizmit, dhunës dhe krimit midis adoleshentëve.

Problemin ta trajtojmë në mënyrë komplekse, racionale për të gjetur “diagnozën” dhe siguruar edhe “terapinë” e duhur, për të shëruar adoleshentët nga sëmundjet e tyre moshore. Nuk mjafton analiza e sipërfaqshme e situatës, sepse kur përballemi me situata kriminale midis adoleshentëve, më shumë flitet për përgjegjësitë e policisë, shtetit dhe organet e ndëshkimit dhe shumë pak për punën dhe përgjegjësinë që kanë organet e edukimit dhe parandalimit si familja dhe shkolla. Kjo nuk bëhet me autoritarizëm dhe dhunë, por me komunikim, marrëveshje, ndikim empatik në marrëdhëniet me ta. Ndryshe jemi të dështuar. Kjo është arsyeja, pse shumë prindër e mësues, duke mos zotëruar instrumentet adekuate të komunikimit me adoleshentët, ankohen, ndihen të pafuqishëm, të “kapitulluar”, madje të tronditur nga arrivizmi, egoizmi, bullizmi, revolta e indisiplinimi në sjelljen e adoleshentëve. Po ku duhet ta mësojnë adoleshentët tanë sjelljen e mirë, komunikimin qytetar, përveçse në familje dhe shkollë? Kush janë figurat më autoritare e ndikuese se prindërit në familje dhe mësuesit në shkollë?

Është urgjente të kuptojmë se përgjegjësia sociale për adoleshentët, këtë “hallkë të dobët” në “zinxhirin e shoqërisë” është e përbashkët, sinkretike e të gjithë faktorëve edukativë dhe institucionalë, për të trajtuar krejt ndryshe problemet, kontradiktat në “familjen e madhe të adoleshentëve”, duke u angazhuar si duhet, për t’i mbrojtur ata së pari nga “vetja”, por edhe nga patologjitë qarkulluese të shoqërisë. Ndërkaq, familja shqiptare ka kaluar nga edukimi paternalist dhe autoritarist i familjes tradicionale (me të mirat dhe defektet) e saj, në një lloj “aborti”, “hiçi eduaktiv”, duke neglizhuar problemet komplekse biologjike e psikosociale të fëmijëve, që janë gurët e parë të themelit në formimin e personalitetit human e qytetar. Reduktimi i kohës së prindërimit, për shkak të angazhimeve, apo neglizhencës prindërore, kanë reduktuar kohën e dobishme për t’u marrë me fëmijët, pikërisht në kohën kur janë në “moshë plastike”, kur mbi ta mund të ndikohet pozitivisht, në mënyrë që të mos lihen në rrugën e spontanitetit, asocialitetit, braktisjes së shkollës dhe edukimit. Ideja e gabuar se edukimi adoleshentëve mund të bëhet në mënyrë spontane, nën ndikimin e faktorëve të jashtëm, apo akoma më keq nën besimin teknoprofetik (që ata mund të edukohen përmes rrjeteve sociale) është kthyer në “infeksion social”, në një lloj “pandemie jo edukative”, me pasoja të rënda për formimin e personalitetit të adoleshentëve.

/Gazeta Panorama