Bie miti Milan në “Maradona”, Conte thyen tersin, tani beson te titulli (VIDEO)
Napoli “thyen” tersin në “Maradona”, për herë të parë pas 7 ndeshjeve radhazi, arrin të triumfojë përballë Milan, por ky sukses 2-1 ka një shije të veçantë pasi i lejon ekipit të Contes të qëndrojë në garë për titull. “Djalli” përjetoi makthe që në start, me Napolin që gjeti golin e avantazhit në minutën e 2-të, me Politano-n që goditi saktë duke mposhtur portierin Maignan.
Napoli përfitoi nga kolapsi total i kuqezinjve dhe në minutën e 19-të, Lukaku i pa shqetësuar në zonë realizoi edhe golin e dytë. Me fillimin e pjesës së dytë, Conceiçao ndërhyri në formacion duke hedhur në fushë Leao dhe Gimenez. Në minutën e 69-të, Milan fitoi një 11-metërsh për faull në zonë ndaj Theo Hernandez. Nga pika e bardhë, Gimenez goditi keq, me portierin Meret që i kuptoi krahun duke mbajtur portën të paprekur.
Në minutën e 84-ët, ishte Jovic ai i cili përfitoi nga një assist i pastër i Hernandez dhe shumë pranë vijës fatale e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë duke ngushtuar shifrat në 2-1, por vetëm kaq, pa mundur t’i prish festën Napolin.

“Conte nuk dorëzohet”, ishte titulli kryesor i TuttoSport, pas suksesit 2-1. Në përfundim të ndeshjes, trajneri i Napolit, si gjithnjë me këmbë në tokë nuk preferoi të flas për titull, por pa diskutim që beson: “Të lëmë Inter me një anë, e rëndësishme është të mbajmë larg ekipin e katërt, të mos harrojmë që objektivi në fillim ishte të riktheheshim në Evropë. Jemi 8 javë përpara fundit, sigurisht pas 8 muajsh të lodhshëm është çmenduri që mos besojmë për diçka të jashtëzakonshme. Lëshuam një sinjal të qartë me këtë fitore, pasi nuk është e lehtë të lush kur sheh që Inter është plus 6 pikë dhe përballë ke një skuadre si Milan. E ardhmja ime? Përshtatja ime te Napoli ka qenë perfekte. Jam pritur shumë mirë, është hera e parë në karrierë që marrë diçka pa dhënë asgjë”, u shpreh Conte.
()