Leva nuk “vdes” kurrë, Barça “çmonton” Girona-n, Flick i befasuar nga La Liga (VIDEO)
Barça i përgjigjet menjëherë Realit, “thyen” me “poker” golash Girona-n duke u rikthyer në krye të La Liga-s, plus 3 në raport me rivalin e përjetshëm. Përtej kontrollit të topit, ekipi i Hansi Flick e kishte të vështirë të gjente rrugën e rrjetës, u desh një autogol në minutën e 43-të për të kaluar në avantazh. Yamal me një goditje të fortë, gjeti një devijim më fat duke sjellë festë në stadium.
Ndryshe nga pjesa e parë, fraksioni i dytë ishte “zjarr”, me Girona që u rikthye shpejt në lojë duke barazuar shifrat në 1-1 në minutën e 53-të. Stafetën më pas e mori Robert Lewandowski, me “bomberin” polak që me një veprim akrobatik kaloi Barçën në avantazh. Leva nuk u mjaftuan me kaq, por në minutën e 77-të me një aksion të bukur personal, brenda në zonë realizoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Barcelonën. Për të kompletuar “pokerin” e golave mendoi Ferron Torres që në minutën e 86-të sigloi shifrat përfundimtare në 4-1.
Në përfundim të ndeshjes, Hansi Flick u pyet nga gazetarët në lidhje me garën për titull në La Liga: “Real Madrid është një skuadër fantastike, duhet thënë, por edhe Atletico Madrid, Athletic apo Rayo. Jam me të vërtetë i befasuar nga cilësia në La Liga. E pamë edhe ndaj Girona-s. Ne jemi të fokusuar vetëm te ndeshja e radhës. Do të luftojmë deri në fund të sezonit për gjithçka që duhet të fitojmë. Unë e shoh skuadrën të karikuar. Të gjithë ëndërrojnë, por me këmbë në tokë për të qenë të përqendruar”, u shpreh Flick.
()