Wed, Apr 2, 2025

Shtrembërimi i historisë, plagë e hapur në kujtesën kombëtare

  • PublishedMarch 31, 2025

Shtrembërimi i historisë, plagë e hapur në kujtesën kombëtare

NGA EVARIST BEQIRI EVARIST BEQIRI

“Një komb e shfaq vetveten jo vetëm me njerëzit që nxjerr, por edhe me njerëzit të cilët i nderon, njerëzit të cilët i kujton”.

-Xhon F. Kenedi

Historia jonë kombëtare, me të gjitha ngjarjet dhe figurat e saj, është një pasuri e çmuar që duhet ruajtur me fanatizëm. Fatkeqësisht, raste të tilla si ai i fotografisë së ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë, dëshmojnë për një realitet të hidhur: shtrembërimin e qëllimshëm të fakteve historike.

Në këtë rast konkret, fotografia e paraqitur në zyrën e Ismail Qemal Vlorës, e cila e paraqet atë gjoja në një takim me Sulltanin Abdyl Hamid II, së bashku me Esat Toptanin, është një falsifikim i turpshëm. Ismail Qemal Vlora nuk ka qenë pjesë e delegacionit të xhonturqve, që i dorëzoi sulltanit vendimin për zbritjen nga froni. Pjesë e atij delegacioni ishte senatori armen Aram Efendiu, senatori Arif Hikmet Pasha, deputeti i Durrësit shqiptari Esat Pashë Toptani dhe deputeti i Selanikut, hebreu Emanuel Karasu Efendiu. Figura e errët historike e Esat Pashë Toptanit nuk duhet të përzihet assesi me figurën e ndritur të Ismail Qemal Vlorës.

Pas të ashtuquajturit incidenti i 31 marsit, më 27 prill 1909, katër anëtarë të Komitetit të Bashkimit dhe Përparimit (CUP) shkuan për ta informuar Sulltan Abdyl Hamid II (1876– 1909) për rrëzimin e tij nga froni. Esat Pashë Toptani ishte lajmëtari kryesor, duke i thënë “Kombit iu ka shkarkuar”. Sipas burimeve historike amerikane, Abdyl Hamid II e ndjeu veten të tradhtuar nga Esat Toptani. Sulltani e quajti atë “njeri të lig”, duke qenë se familja Toptani kishte përfituar nga Sulltani, duke fituar e privilegje dhe poste kyçe në qeverisjen osmane.

Për t’u rikthyer te thelbi, ky shtrembërim i historisë është një fyerje për kujtesën e atyre,që sakrifikuan për pavarësinë e Shqipërisë dhe një tentativë për të njollosur figurën Atit Themelues të shtetit shqiptar. Është e domosdoshme që autoritetet përkatëse të marrin masa të menjëhershme për të korrigjuar këtë gabim të rëndë dhe për të siguruar që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

Në 113 vite Shqipëri, vendosja e portretit të “Atit të Kombit”, Ismail Qemal Vlorës, në zyrat e shtetit shqiptar me vendimin nr.1 të qeverisë në vitin 2013, është akti më dinjitoz i realizuar ndonjëherë nga ndonjë udhëheqës shqiptar, në nderim të figurës së Ismail QEmal Vlorës. Ky ishte një akt sa simbolik, po aq edhe domethënës! Por nga ana tjetër, trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës meriton shumë më tepër përnderim! Edhe sot pas 113 viteve Shqipëri, na mungon një shtatore, një memorial apo një muze që jetë në lartësinë e madhështisë së trashëgimisë së tij. Trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës është frymëzuese për të ardhmen! Dhe ne duhet që të punojmë fort për të realizuar vizionin e tij për një Shqipëri të fortë të bashkuar dhe evropiane.

Njëkohësisht, duhet të rikujtojmë se respekti për historinë nuk mjafton vetëm me korrigjimin e gabimeve. Ai duhet të pasqyrohet edhe në vlerësimin e figurave të mëdha të kombit. Monumenti i Ismail Qemal Vlorës në Tiranë, i lënë në errësirë, është një simbol i neglizhencës dhe i mungesës së respektit për një nga figurat më të rëndësishme të historisë sonë. Prandaj, iu bëjmë thirrje institucioneve shtetërore që, përveç korrigjimit të shtrembërimeve historike, të kujdesen edhe për mirëmbajtjen e monumenteve dhe simboleve të kujtesës kombëtare. Modeli i lidershipit të Ismail Qemal Vlorës meriton vlerësimin e duhur, duke i kushtuar shtatore dhe muze që qëndrojnë në lartësinë e figurës së tij madhështore. Historia nuk është thjesht një koleksion faktesh, por një pjesë e pandashme e identitetit tonë kombëtar…