Ministrja gjermane viziton Kievin! Annalena Baerboc paralajmëron kundër taktikave penguese të Rusisë për negociatat e paqes me Ukrainën!
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, gjatë një vizite të papritur në Kiev, ka paralajmëruar kundër taktikave penguese të Rusisë në negociatat e paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Diplomatja gjermane, e cila është në udhëtimin e saj të nëntë në Ukrainë që nga nisja e pushtimit të plotë nga Kremlini në shkurt të vitit 2022, tha se beson se Kievi është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje paqeje mes intensifikimit të negociatave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.
“Në takimin e ardhshëm të ministrave të jashtëm të NATO-s, ne do t’ia bëjmë të qartë palës amerikane se nuk duhet të biem pre e taktikave penguese të Putinit”, tha ajo në një deklaratë pas mbërritjes në kryeqytetin ukrainas më 1 prill.
Deklarata e Baerbock vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi Rusinë me tarifa të reja mbi produktet e naftës nëse Moska bllokon nismat e tij për armëpushim, ndërsa gjithashtu tha se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, do të përballet me “probleme të mëdha” nëse nuk nënshkruan një marrëveshje për mineralet kritike me Uashingtonin.
“Ai po përpiqet të tërhiqet nga marrëveshja për mineralet e rralla dhe nëse e bën këtë, do të ketë probleme të mëdha”, u tha Trump gazetarëve më 30 mars, duke iu referuar presidentit ukrainas.
“Ne bëmë një marrëveshje për mineralet e rralla. Dhe tani ai po thotë, ‘e dini, dua ta rinegocioj marrëveshjen’. Ai dëshiron të jetë anëtar i NATO-s, por nuk do të jetë kurrë anëtar i NATO-s. Ai e kupton këtë”, shtoi Trump.
Më 28 mars, qeveria ukrainase tha se ende po shqyrton një draft-marrëveshje nga Shtetet e Bashkuara për mineralet e rralla të vendit, mes raporteve se Uashingtoni kishte ndryshuar kushtet e marrëveshjes disa herë.
Ministrja e Ekonomisë e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, njoftoi në një mbledhje qeveritare se Kievi po përgatit qëndrimin e vet mbi marrëveshjen, por deputetët do të shprehin qëndrimin e tyre vetëm kur të arrihet një konsensus. Para kësaj, tha ajo, diskutimi publik do të ishte i dëmshëm.
Ukraina ka depozita të konsiderueshme të mineraleve kritike, përfshirë mineralet e rralla, megjithëse sasia e saktë e tyre mbetet e pasigurt. Këto minerale janë shumë të çmuara për përdorimin e tyre në teknologjitë e mbrojtjes, si dhe në pajisje si kompjuterët, telefonat inteligjentë dhe bateritë.
Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord më herët këtë muaj për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për zhvillimin e burimeve minerale kritike të Ukrainës. Përpjekjet për të finalizuar marrëveshjen kishin dështuar më parë më 28 shkurt pas një përplasjeje të tensionuar mes Trumpit dhe Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë, më herët më 30 mars, Trump tha se do të vendosë tarifa sekondare prej 25 deri në 50 për qind ndaj naftës ruse nëse ai mendon se presidenti rus, Vladimir Putin, po bllokon përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Trump tha gjatë një interviste telefonike për NBC se ishte “shumë i zemëruar” dhe “i irrituar” kur Putini bëri thirrje për krijimin e një qeverie kalimtare në Ukrainë, e cila mund të rezultonte në përjashtimin e presidentit Zelenskyt.
“Nëse Rusia dhe unë nuk arrijmë një marrëveshje për të ndalur gjakderdhjen në Ukrainë, dhe nëse mendoj se është faji i Rusisë – gjë që mund të mos jetë – por nëse mendoj se është faji i Rusisë, do të vendos tarifa sekondare mbi të gjithë naftën që del nga Rusia”, tha Trump.
“Kjo do të thotë që nëse blini naftë nga Rusia, nuk mund të bëni biznes në Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai. “Do të ketë një tarifë prej 25 për qind për të gjithë naftën, një tarifë prej 25 deri në 50 për qind”.
Trump shtoi se këto masa tregtare do të zbatoheshin brenda një muaji nëse nuk arrihet një marrëveshje për armëpushim.
Ky moment diplomatik tejet i ndjeshëm vjen pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi më 25 mars se si Rusia, ashtu edhe Ukraina, ranë dakord për një armëpushim dhe për të lejuar navigimin në Detin e Zi, si dhe për të mos sulmuar objektet energjetike të njëra-tjetrës.
Kievi thotë se armëpushimi duhet të hyjë në fuqi menjëherë, ndërsa Moska ka deklaruar se do ta respektojë atë vetëm pas heqjes së pjesshme të sanksioneve ndaj kompanive dhe bankave ruse të përfshira në tregtinë ndërkombëtare të ushqimit.
Qëndrim më i ashpër ndaj Putinit
Komentet e Trumpit shënojnë një ndryshim nga qasja më e butë që Shtëpia e Bardhë kishte mbajtur ndaj Rusisë, që nga momenti kur presidenti amerikan e bëri përfundimin e luftës në Ukrainë një prioritet të politikës së jashtme. Ato gjithashtu vijnë pasi ai më parë kishte kritikuar Zelenskyn, duke thënë se ishte “i lodhur” nga menaxhimi i tij i luftës dhe e quajti atë një “diktator pa zgjedhje”.
Trump i tha NBC-së se do të flasë me Putinin gjatë kësaj jave.
Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po udhëheqin përpjekjet diplomatike për të arritur një marrëveshje për armëpushim, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj qytetit të Harkivit në Ukrainë.
Sulmet ajrore në qytetin verilindor të Ukrainës më 1 prill plagosën tre persona dhe shkaktuan zjarr në disa ndërtesa industriale, si dhe dëmtuan dy kopshte, thanë zyrtarët.
Një ditë më parë, Kievi akuzoi Moskën për një “krim lufte” pasi dronët rusë goditën një spital ushtarak. Sulmi goditi Harkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, si pjesë e një sulmi që përfshiu gjithashtu një qendër tregtare, ndërtesa banimi dhe objekte të tjera, duke vrarë dy persona, sipas autoriteteve.
Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase akuzoi Rusinë për “shkelje të normave të së drejtës humanitare ndërkombëtare” në sulmin e saj, të cilin e cilësoi si “bombardim të qëllimshëm dhe të synuar”./REL/