Partizani nuk “ngjit” me trajnerët, presidenti Demi i ndërroi 24 herë
Po, Partizani e ndërroi sërish trajnerin. Është bërë e zakonshme që në kampin e kuq, kur gjërat nuk shkojnë mirë, trajnerët të mbajnë përgjegjësinë dhe të bëhen “kurban”, për t’i liruar vendin dikujt tjetër.
I fundit që e pësoi, ishte Aleksandar Veselinoviç, i cili, përveç mungesës së rezultateve, nisi edhe një “luftë” publike me drejtuesit e klubit në lidhje me cilësinë e merkatos. Pas tij, duke marrë parasysh kohën e shkurtër deri në mbyllje të sezonit, klubi vendosi t’ia besojë ekipin drejtorit sportiv, Arbër Abilaliaj, i cili, për hir të së vërtetës, në këtë aventurë të tretë në krye, dështoi të bënte mirë, duke marrë rezultate jo fort pozitive dhe vënë sezonin në rrezik.
ZGJEDHJE STRATEGJIKE – Duke parë situatën e tillë, në klub kërkuan një zgjidhje dhe vendosën të afronin Skënder Gegën, trajneri kampion i edicionit 2018-2019, që i kthente ekipit titullin pas plot 26 vitesh. Me protagonist kryesor drejtorin teknik Haxhia, drejtuesit vendosën të marrin një figurë, që përveç se do të ndihmojë në aspektin sportiv me njohuritë dhe eksperiencën e tij, gëzon një respekt të madh nga tifozët dhe ka një staturë publike mjaft solide. Me ardhjen e një trajneri të nivelit të tillë, Partizani kërkon të ulë presionin, por edhe “të mbulojë” problemet që ka në ekip. Ky është edhe një risk për Gegën, pasi pesha në rast dështimi do të peshojë tek ai, para ekipit.
24 TRAJNERË – Gazment Demi ka treguar në këto vite se është një nga presidentët më korrekt dhe “babaxhanë” të Superiores, por ana tjetër e medaljes është se ai asnjëherë nuk i ka besuar një trajneri për të ndërtuar një cikël të ngjashëm me Shehin tek Tirana apo Tetovën aktualisht tek Egnatia. Në pamje të parë, ky është vetëm një detaj, por në të vërtetë është një nga shkaqet kryesore pse Partizani nuk ka arritur të qëndrojë në fron gjatë kur ka korrur sukses. Sapo ka fituar, projekti është ndarë në mes. Në disa raste, problemet kanë ardhur nga jashtë fushës, në marrëdhënien drejtortrajner. Në 12 vite si president i Partizanit, Demi ka ndërruar trajnerin 24 herë, me një mesatare prej dy trajnerësh në sezon, mesatare jo e përshtatshme për një klub kaq të organizuar dhe me pretendime gjithnjë madhore.
RIKTHIMET – Ky i Skënder Gegës është një rikthim te Partizani. Por le t’u bëjmë një vëzhgim rikthimeve gjatë epokës “Demi”. Konstatimi i parë është se nuk kanë qenë të shpeshta. Tre trajnerët e vetëm që ishin rikthyer para Gegës: Sulejman Starova, Adolfo Sormani dhe Arbër Abilaliaj. Vlen të theksohet se rastet e Starovës dhe të Abilaliajt janë të ngjashme, sepse kanë bërë herë pas here kalime nga drejtor në trajner. Diferenca është se Starova ka eksperiencë të madhe si trajner dhe nuk përbën ndonjë eksperiment. Gjithsesi, në të trija rastet e rikthimeve, sukses nuk ka pasur, edhe pse Starova i ka shkuar shumë pranë titullit në një rast, pa ia dalë dot. Gega kërkon të thyejë këtë “tabu”.
“MALLKIMI” – Në vetëm tri sezone nga 12 në total në epokën “Demi”, skuadra është drejtuar nga fillimi deri në fund nga i njëjti trajner. Këtë e ka bërë Gega, Daja dhe Kolela. Dy prej tyre (Gega dhe Kolela) kanë dalë kampionë. Këtë herë, Skënder Gega vjen me një sfidë tjetër. Në asnjë rast Partizani nuk ka fituar trofe kur gjatë sezonit ka ndërruar trajnerin. Gega do të përpiqet ta eliminojë këtë precedent, kur kanë mbetur edhe pak ndeshje nga fundi i sezonit. Fakti është se e ka nisur me këmbë të mbarë.