“Pikët janë të domosdoshme për ne”, Gega para derbit: Futemi në fushë me besim, duam fitoren
Trajneri i Partizanit, Skënder Gega dha mendimin e tij para derbit ndaj Tiranës.
“Edhe ne kemi problemet tona. Kemi harxhuar energji pas ngjeshjes së ndeshjeve. Megjithatë kjo na ka bërë edhe mirë, për tu përshtatur. Derbi mbetet derbi në çdo situatë, pavarësisht renditjes. Ne jemi rivalë të përjetshëm dhe më takon të flas me respekt për historinë e Tiranës. Kjo ndeshje ka vlera. Pikët janë të domosdoshme për ne. Për 90 minuta jemi rivalë, secili do suksesin. Ne do futemi me besim për objektivat tona.
“Në çdo vend që shkon trajneri, mundohet të bëjë më të mirën, ky është profesioni. Për fat të mirë, kam pasur mikpritje që të ndihem komod. Me futbollistët po njihemi më mirë dhe po kuptohemi më mirë. Jam shumë i kënaqur. Do doja të isha për shumë kohë, por i tillë është futbolli dhe planet e klubit.
Ecurinë e kundërshtarëve nuk e caktojmë ne. Në çdo pozicion që janë Tirana dhe Partizani, kjo është një nga ndeshjet më të rëndësishme. Është për qytetin dhe tifozët. Kanë shansin e tyre. Çdo gjë është pozitive. Është një ndeshje që të jep adrenalinë. Lojtarët duhet të kuptojnë se cilin ekip përfaqësojnë”, deklaroi Gega.