Venera Lumani dhe Lind Islami bëhen prindër për herë të parë
Një kapitull i ri dhe i paharrueshëm ka nisur për një nga çiftet më të dashur të muzikës shqiptare. Venera Lumani dhe Lind Islami janë bërë prindër për herë të parë, duke sjellë në jetë djalin e tyre, të cilin e kanë pagëzuar me emrin Drin Islami.
Lajmin e ëmbël dhe emocionues e ndanë vetë artistët përmes një postimi prekës në rrjetet sociale. Në një fotografi të ngrohtë familjare, ku shfaqen të buzëqeshur me vogëlushin në krah, ata ndanë me ndjekësit emocionet e këtij momenti të veçantë.
Emri “Drin”, përzgjedhur me kujdes, është një homazh për natyrën shqiptare dhe rrënjët e tyre, duke sjellë ndër mend lumin e bukur shqiptar që buron nga Struga dhe përshkon tokën e Kosovës dhe Shqipërisë.
Postimi i çiftit u shoqërua me një mesazh poetik e simbolik:
“Familja mbi të gjitha. Unë buroj në Strugë, e buroj në Pejë. I bëj malet bashkë, skej m’skej. Ju dua, Drin Islami.”
Ky mesazh përçoi jo vetëm dashurinë për atdheun dhe tokën e origjinës, por edhe përkushtimin e tyre të sinqertë ndaj rolit të ri si prindër.
Urimet për Venerën dhe Lindin kanë vërshuar nga të gjitha anët – fansat, miqtë dhe kolegët e tyre artistë i kanë përgëzuar për ardhjen në jetë të Drinit dhe për këtë fillim të bukur të jetës familjare.
Mirë se erdhe në jetë, Drin Islami! Një jetë e mbushur me dashuri, muzikë dhe gëzim të presë!