FOTO/ Një fundjavë Jo, nota të ulëta për Gjimshitin e Asllanin, zhduket Ismajli
Serie A pa si protagonistë këtë fundjavë disa nga legjionarët kuqezi. Si rrallë herë, ndaj Parmas, Inzaghi luajti me dy regjisorë titullarë, Calhanoglu-Asllani, një lëvizje që nuk rezultoi shumë efikase pasi zikaltërit ngecën në një barazim 2-2. Mesfushori kuqezi nuk ishte në ditën e tij më të mirë, i vlerësuar nga mediat italiane me notën 5, i zëvendësuar në minutën e 81-të: “Vuan shumë të imponohet ndaj Calhanoglu në rolin e drejtuesit të orkestrës”, shkruajnë mediat italiane.

Si titullar u aktivizua këtë fundjave edhe Ylber Ramadani, me trajnerin e Lecces që preferoi atë nga minuta e parë, deri në të 56-të. “Goditi disa herë nga distanca, por rezultatet ishin për t’u diskutuar. Më mirë në pozicionin mbrojtës”, nota 5,5 për Ramadanin. Në vend të tij u aktivizua mesfushori tjetër kuqezi, Medon Berisha, i vlerësuar me notën 6 nga mediat italiane.

Atalanta-Lazio duhet të ishte një duel në distancë ndërmjet Gjimshitit dhe Hysajt, por vetëm kapiteni kuqezi u aktivizua nga minuta e parë, ndërsa Hysaj qëndroi në stol për 90 minuta. Për Gjimshitin, ashtu si për pjesën tjetër të Atalantës, kjo nuk është një periudhë pozitive, i vlerësuar me notën 5,5.

Vijon të shqetësojë gjendja e Ismajlit, me qendërmbrojtësit kuqezi që nuk ishte në dispozicion të Empolit as për takimin kundër Cagliarit.