Thu, Apr 10, 2025

Monumenti i turpit

  • PublishedApril 7, 2025

Monumenti i turpit

NGA BEN ANDONI

Ideja i takon shkrimtarit të njohur rumun, Norman Manea, që tashmë është në moshën e tretë dhe u takon kontribuuesve më të njohur të kujtesës dhe letërsisë në rajonin tonë. Është nga ata autorë, të cilët me vëzhgimet e tyre i përcollën pragmatizmit dhe thjeshtësimit amerikan, karakteristikave të Botës së Re, tiparet e Ballkanit të vogël dhe të largët. Hebraiko-rumuni për shkak të identitetit përjetoi qysh fëmijë edhe kampin e përqendrimit në një lokalitet të Ukrainës. Mes shumë konstatimeve, përshkrimeve dhe sintezave pak vite më parë, në kuadër të një diskutimi mbi nazizmin, do të bënte një propozim gati të paimagjinueshëm në gazetën “Neue Zürcher Zeitung” që “të ndërtonte çdo vend, gjithë vendet pa përjashtim, përkrah përmendoreve, nga një monument të turpit. Sepse të gjithë vendeve u vjen turp për diçka…”.

Nga ky argument po shkojmë në realitetin tonë. Për çfarë mund t’i vijë turp Shqipërisë dhe cili mund të ishte Monumenti i saj i Turpit?! Është afërmendsh që kinse patriotët do të hidheshin pupthi dhe do të përmendnin heroizmat tona të mëdha, si asnjë tjetër nga vendet e tjera ballkanike (!); patetikët do të përmendnin që kjo nismë duhej t’u takonte fqinjëve agresorë; kurse shqiptarët e thjeshtë në më të shumtën e tyre do të ngrinin supet. Më thukët: Ata që përfaqësojnë dhe janë militantë të PS-së do hidhnin poshtë shumë gjëra të së Djathtës dhe nacionalistëve, shtuar edhe mëkateve në kohën e L2B; militantët që mëtojnë se përfaqësojnë PD-në do të nxinin dhe më të voglën gjë negative të së Majtës, duke e identifikuar me Enver Hoxhën dhe pastaj me radhë një vargan liderësh që mbarojnë me kryeministrin aktual Rama.

Për hir të së vërtetës, Shqipëria ka monumente për të përndjekurit, martirët, nacionalistët dhe tashmë kanë mbetur në hije (shpesh të nëpërkëmbur) ato të njerëzve të lidhur me luftën antifashiste. Gjurmët e këtyre të fundit i gjen kudo në vend dhe dora shkatërruese që tek ne është instiktive nuk ka mundur t’i fshijë të gjitha. Aman, ne nuk kemi një Monument Turpi, kushtuar shqiptarëve që janë zhdukur për mendimin ndryshe dhe kundërshtimin dhe sot e kësaj dite nuk u dihen eshtrat. Ashtu si nuk kemi një Monument Turpi për pronën, e cila mund të duket në përmbajtje si abstrakte, por ka prodhuar viktima njësoj dhe më shumë se luftërat në vend, duke shtuar këtu dhe moskthimin e  tyre te pronari. Tek e fundit thelbi i shtetit dhe baza ku ngrihet zhvillimi ekonomik.

Turpi e kontrollon jetën në shoqëritë e civilizuara, por edhe nxit arsyen sociale që gabime të tilla të mos përsëriten. Turpi nuk ka rregulla, por sociologët mund të shpjegojnë qartë se mënyra sesi sillemi ndaj turpit tregon nivelin e një shoqërie. Shqipëria e sotme është refleks i mohimit tonë të turpit. Është e vërtetë se në shoqërinë tonë ka gjysma kërkim faljesh, si tani të Berishës për marrëveshjen e vitit 2008, dikur për të persekutuarit, për pronat dhe për çështje të tjera, por e kupton se janë kalimtare nga akti që bëri si qeveritar, apo kur përball premtimet 2025 që shpesh po shoqërohen prej tij me lapsuse të vazhdueshme.

Rama përcjell si justifikim diferencën me vitin 2013 dhe fajin e përcjell me fjalët e zakonshme se duheshin bërë më mirë, por e kemi marrë Shqipërinë në këtë gjendje! Se Shqipëria ka mbetur e varfër dhe pabarazia shoqërore ka kapur nivele të larta në qeverisjen e tij, për të “s’ka” problem! Shqetësimi tashmë është gjetkë: Tashmë kjo gjendje e mohimit të turpit është e përbotshme. Pak vite më parë ish-kryeministri kanadez Trudo kërkoi falje thjesht për një make-up të fytyrës së tij, por ky nuk ka qenë rasti i Presidentit Trump-1 (Trump-2 deri tani po e trand botën dhe nuk kuptohet më mospasja e turpit me gjuhën arrogante të forcës), ashtu si ish-kryeministri britanik Boris Xhonson, kur kërkoi mbylljen e parlamentit më të vjetër të botës! Të dy liderët e fundit nuk e panë askurrë të arsyeshme të kërkonin ndjesë, ndërsa vazhduan të përcjellin një cinizëm, që me sa duket i parapriu kohës sonë mbushur tashmë me veprime cinike, qoftë në rangun ndërkombëtar, por edhe në ato të funksionimit të demokracive të brendshme të vendeve tona. Por, mbase argumenti ynë mund të duket i tepruar tashmë, kur zyrtarët e zgjedhur publikisht s’i druhen më ndjenjës së turpit për të vepruar me pendim dhe për të korrigjuar apo për të dëgjuar kritika. Rama nuk ka pendesë për asgjë. Meta në burg flet për realitete paralele. Berisha e ka fshirë të shkuarën e afërt.

“Kritikat ndaj kapërcimit të standardeve morale nga Trump duket se provokojnë sjellje edhe më të pacipë, duke testuar kufijtë e asaj që konsiderohet e pranueshme”, shkruan asistent profesoresha Aneta Stêpieñ në një shkrim të sajin në “The Conversation”, por që i dedikohet mandatit të parë të Trump, duke perifrazuar pak a shumë trendin e politikanëve të sotëm të shumtë që i ngjajnë atij. Megjithëse ky argument është fare i dukshëm për vendin tonë, kjo po duket edhe në rajon dhe më gjerë, për mënyrën sesi sillen zyrtarët e sotëm dhe nuk e kanë ndjenjën e pendesës për asgjë. Kryeministri Rama ka vetësigurinë dhe pushtetin e pakufishëm të sfidojë çdokënd dhe të mos pranojë asgjë prej anëtarëve të qeverisë, publikut, shoqërisë civile, apo mënyrën sesi e drejton grupin parlamentar, ndërkohë që ai vetë është anëtar dhe jo shef i saj! Jo thjesht gojëmbyllja e tyre, por pamundësia për të artikuluar të trishton për nivelin e demokracisë sonë. PD-në e përjashtojmë në këtë argument, sepse kjo është e paimagjinueshme.

Kurti në Kosovë nuk denjon t’u përgjigjet kritikës dhe madje edhe autoriteteve të Drejtësisë, duke e sfiduar hapur Pushtetin e pavarur të Ligjit. Nuk ia vlen të përdorim shembujt e Vuçiq dhe Orban, në Serbi dhe Hungari, por paturpësia për të mos parë realitete po shkërmoq besimin në institucionet dhe në vetë drejtësinë. “Psikologët dhe sociologët pohojnë se përqafimi i turpit në nivel personal na lejon të rritemi duke futur ndryshime pozitive. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, pranimi publikisht i keqbërjes ka gjithashtu një rol të fuqishëm riparues. Kjo është arsyeja pse mund të jetë kaq e fuqishme kur një qeveri kërkon falje publike për një keqbërje të kaluar”, – shkruan Stêpieñ. Kuptohet, ky nuk është më rasti i drejtuesve të kohës sonë, kurse fushata në Shqipëri po tregon sesa pa turp zhvillohet sot përpjekja për t’u kërkuar vota shqiptarëve përmes egoizmit të Ramës, mëtimeve bajate të Metës dhe premtimeve boshe e gafave të Berishës.

11 maji do të tregojë shumë për nivelin e demokracisë së vendit tonë, ndërsa ajo që bie për shqiptarin e thjeshtë, serbin, hungarezin e më gjerë është ajo që Obama e shpjegoi së fundmi gjatë një fjalimi në Kolegjin Hamilton në Nju Jork, ku kërkoi këtej e tutje mbrojtjen me ngulm të të drejtave demokratike. “Ka qenë e lehtë të thuash se je një progresist ose se je për drejtësinë sociale, por tani do të duhet të paguash një çmim për këtë”, – tha Obama, duke ngjallur nevojën për angazhim dhe sakrificë për të ruajtur vlerat demokratike. Kjo është e vështirë tek ne, por nëse do kishim në kokë idenë e një Monumenti Turpi, atëherë ky do të ishte shërbimi i parë ndaj vendit për të mos e lënë të zbresë në autokraci.

Mbase do na stepte. Monumenti do na kërkonte t’i blatonim gjithë teprimet tona që në demokraci s’paskan fund. Sa për zyrtarët, kjo është e pamundur, sepse në kokat e tyre ka vetëm pushtet dhe jo “abstraksione” të tilla. Askush prej tyre nuk mund të bëjë dot atë që kancelari Vili Brandt bëri në vitin 1970 kur u gjunjëzua para Monumentit të Heronjve të Getos në Varshavë. Manean dhe bashkatdhetarët e tij i mbyti shteti policor, burokracia dhe kulti i individit, shkruan Anteos Hrisostomidhis. Po shqiptarët? Mospasja e një Monumenti Turpi, ku të delegojmë mëkatin tonë ndaj zhvillimit, demokracisë dhe vendit tonë… është borxhi i sotëm ndaj Shqipërisë. (Homo Albanicus)/Gazeta Panorama