Mon, Apr 7, 2025

Përmbysje ndaj Kukësit, Lushnja ruan ritmin me dy rivalët për një biletë ne “play off”

  • PublishedApril 7, 2025

Përmbysje ndaj Kukësit, Lushnja ruan ritmin me dy rivalët për një biletë ne “play off”

Lushnja ka triumfuar me përmbysje ndaj Kukësit në transfertë, duke mbajtur gjallë shpresat për të siguruar një vend në “play off” në mbyllje të këtij edicioni. Djemtë e drejtuar nga trajneri Erion Xhafa kanë siguruar tri pikët pas një fitore në shifrat e ngushta, 2-1, me golat e Kamisokos dhe Cankës, që zhvlerësuan rrjetën e Kapllanajt për vendasit.

Sakaq, kjo humbje venit edhe matematikisht shanset e kuksianëve për të evituar ndeshjen shtesë, sa i përket mbijetesës në Kategorinë e Parë.

NDESHJA – Përballja mes dy skuadrave do të niste menjëherë me vrull dhe gola. Pa u nxehur mirë lojtarët në fushën e lojës, Kapllanaj kalon në avantazh vendasit që në minutën e dytë të sfidës. Më mirë se sa kaq nuk mund të niste për ekipin e Kukësit, por miqtë nga Lushnja reagojnë shumë shpejt me anë të Kamisokos, që rikthen baraspeshën në minutën e pestë. Ishte theksuar se mbrojtja, është “thembra e Akilit” për Kukësin, pasi goli i pësuar erdhi pikërisht nga paaftësia për të nxjerrë topin nga zona e portierit. Me kalimin e minutave, ekipet duket se luajnë lirshëm në fushë, duke mos pasur shumë merak për mbrojtjen, edhe për faktin se vinin pa shumë presion në këtë përballje.

Lojës i mungon nervi, ku përpos mundësive nga të dyja ekipet gjatë minutave të mbetura në fraksionin e parë, nuk do të ketë gola të tjerë dhe skuadrat do të shkonin në pushim me rezultatin e barabartë 1-1. Tafaj do ta niste pjesën e dytë me një zëvendësim, duke futur Kristian në vend të Hasanajt, ndërsa Xhafa u beson titullarëve të pjesës së parë. Minutat kalojnë, ndërkohë që ekipet e kanë të vështirë të gjejnë rrugën e rrjetës. Miqtë hedhin në fushë Mikel Cankën, për t’i dhënë pak më shumë freski fazës së sulmit.

Është pikërisht veterani, që dhjetë minuta nga fundi arrin ta dërgojë sferën në rrjetë dhe t’i japë tri pikët skuadrës lagunare. Canka arrin që topin e shërbyer pas shpinës së mbrojtësve vendas, ta ndalë dhe më pas ta dërgojë në rrjetë dhe 2-1 për miqtë. Me këtë fitore, lushnjarët shkojnë në kuotën e 43 pikëve, po aq sa Apolonia, me të cilën do të diskutojnë një vend për në “play off”. Përcaktues mbetet derbi i javës së fundit, që do të luhet në Fier.


AlbaniaWeb.net