Thu, Apr 17, 2025

“Gratë çame i përdhunuan, kurse burrat i masakruan në Filat më 1945″, por çfarë thuhej në raportin “Palmer”! Masakra greke dhe misioni britanik

  • PublishedApril 8, 2025

“Gratë çame i përdhunuan, kurse burrat i masakruan në Filat më 1945″, por çfarë thuhej në raportin “Palmer”! Masakra greke dhe misioni britanik

HAJREDIN ISUFI
HISTORIAN

EAM-i festoi fitoren. Gumenica, Filati, Paramithia dhe Margëlliçi kontrollohej nga forcat e majta. E megjithatë, përsëri ekzistonte përçarja e thellë politike. Popullsia e krishterë ishte ndarë në dy kampe kundërshtare: EAM dhe EDES. Në mes të tyre kishte armiqësi të hapur që tregonte se nga çasti në çast pritej shpërthimi i luftës civile. Kryesia e Komitetit Antifashist Çam që ishte krijuar në Shqipëri, i kryesuar nga Musa Demi, e gjykoi të arsyeshme se situata e re e kërkonte që me disa shokë të kryesisë të nisej për në Çamëri dhe prej andej në Athinë për të bërë përpjekje pranë qeverisë greke, me qëllim që çamët të riatdhetësoheshin në shtëpitë e tyre. Rrugës për në Filat ata vunë re fshatra të djegur, shtëpi të shkatërruara, forca armike në gatishmëri, gjë që tregonte që në Çamëri gjendja ishte shumë e nderë dhe situata e pastabilizuar. Në këto rrethana, ata gjykuan se një kthim i menjëhershëm i çamëve, pa marrë garanci të plota nga qeveria greke, do të ishte me pasoja.

Misionarët çamë, me në krye Musa Demin, në Athinë, takimin e parë e patën me përfaqësuesit e Aleatëve, të cilët i njohën me masakrat që kishin bërë bandat e Napoleon Zervës ndaj popullsisë çame, gjendjen e vështirë të saj në emigracion, së cilës i mungonte çdo përkrahje nga brenda dhe nga jashtë.

Ata u kërkuan bashkëbiseduesve që të ndihmonin që popullsia çame të kthehej në vatrat e veta dhe Qeveria Greke të dëmshpërblente pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të çamëve 3. Misionarët anglezë dhe kolegët e tyre u treguan sikur ishin të vëmendshëm ndaj kërkesave të përfaqësuesve të refugjatëve dhe premtuan se problemin çam dhe do të ishte në qendër të vëmendjes së Aleatëve. Mirëpo anglezët kishin bashkëpunuar me Napoleon Zervën qysh në fillimet e veprimtarisë së tij në Epir, duke i dhënë atij ndihmën dhe përkrahjen e tyre. Ata kishin qenë të pranishëm në masakrën që bandat e Zervës kishin kryer ndaj çamëve.

Historiani grek, J. Sharra, duke folur për këto lidhje, shkruan se disa familje çame, të tmerruara nga krimet që bënte Napoleon Zerva, për të shpëtuar jetën e për t’u mbrojtur, shkuan në konsullatën angleze më Prevezë, por ata, në vend që t’i strehonin, ua dorëzuan EDES-istëve, të cilët i masakruan përpara syve të anglezëve. 4

Gjatë kthimit nga Athina, përfaqësuesit e Çamërisë, bënë një ndalesë në administratën e re të EAM-it në Janinë. Edhe këtu ata u kërkuan autoriteteve civile dhe ushtarake të Janinës që të jepnin garanci të plotë për jetën e mijëra çamëve, kur të ktheheshin në Çamëri. Komandanti i lartë i regjimentit të 15-të të ELASit u sugjeroi përfaqësuesve çamëve se një kthim i menjëhershëm i çamëve kishte një sërë vështirësish.

Së pari, ende nuk ishin qetësuar gjakrat e dy komuniteteve pas çoroditjes që kishte shkaktuar propaganda e huaj; së dyti, para se të vinin familjet e emigruara, duheshin siguruar ndihma me ushqime, veshmbathje dhe strehim, se dimri nuk mund të kalohej në çadra. Së treti, duhej bërë puna edukative me të krishterët vendas që mosmarrëveshjet mes myslimanëve dhe të krishterëve t’ia linin të kaluarës.

Në përgjigje të kërkesave të përfaqësuesve të Çamërisë, Komanda e Lartë e Regjimentit XV të ELAS-it, më 6 janar 1945 iu drejtua me një komunikatë Komitetit Antifashist Çam dhe gjithë çamëve të shpërngulur në Shqipëri.5 Në komunikatë theksohej se kthimi i tyre do të ishte i shpejtë, por duhej pritur deri sa të merrej një vendim i përbashkët nga qeveria provizore e ELAS-it me qeverinë shqiptare. Më tej thuhej:

“Ne i dimë dëmet në njerëz dhe në pasuri që kanë pasur shqiptarët e Çamërisë nga fashistët edeistë. Gjaku i të pafajshmëve është derdhur si lumë. Gratë e fëmijët janë masakruar pa mëshirë dhe fshatra të tëra u përfshinë nga flakët. Drama e katastrofës dhe e masakrave të bëra kohët e fundit shkatërroi elementin mysliman të krahinës së Çamërisë…”6

Çamëve, kudo që ishin vendosur në Shqipëri, komunikata ua shoi shpresën e kthimit në vatrat e tyre, por përfaqësuesit e refugjatëve që e njihnin mirë situatën e paqëndrueshme politike në Greqi, bënë shumë përpjekje që çamët të mos niseshin për në Çamëri me kokën e tyre. Ndërkohë, më 28 janar 1945, 7 Komiteti Nacional Çlirimtar i EAM-it dhe Komiteti Panepiriot lëshuan një thirrje drejtuar kryesisht banorëve të krishterë të Çamërisë, ku bëhej i njohur një vendim i prefekturës së Gjirokastrës për kthimin e familjeve çame në shtëpitë e tyre. Në të porositeshin të gjithë të krishterët që të merreshin të gjitha masat për një pritje të mirë dhe të hijshme të çamëve dhe për të krijuar marrëdhënie të mira me ta. Kjo thirrje u botua në të gjitha gazetat greke që dilnin në Çamëri. Fill pas kësaj, Komiteti i EAM-it nisi të marrë një varg masash organizative: i dërgoi njerëzit e vet nëpër fshatrat për të ngritur komitetet e EAM-it, për të bindur popullsinë që të ndërtoheshin marrëdhënie korrekte me çamët që kishin nisur të ktheheshin 8. Shumë kryefamiljarë morën rrugën për të shkuar në Çamëri, pa familje, me qëllim që të shikonin gjendjen dhe më pas të vendosnin ose jo për të shkuar me gjithë pjesëtarët e familjes. Kishte dhe të tjerë që niseshin me familje, pa ditur se ku shkonin dhe ku do të futnin kokën.

MARRËVESHJA E VARKIZËS, 12 SHKURT 1945

Në skenën politike të Greqisë ndodhën ngjarje që i dhanë një drejtim tjetër situatës. Me nxitjen e anglezëve, Kryeministri i Greqisë, Plastira iu drejtua EAM-it me këto propozime: të krijohej një ushtri kombëtare; të lejohej shprehja e lirë e qytetarëve helenë; të faleshin fajtorët politikë të dhjetorit 1944. Me shprehjen ‘faktorë politikë’ kuptoheshin partizanët e ELAS-it 9 që ishin akuzuar nga zervistët si vrasës dhe plaçkitës.

EAM-i i pranoi propozimet e Plastirës dhe më 12 shkurt 1945 10, u nënshkrua marrëveshja që njihet me emrin “Marrëveshja e Varkizës”, e cila shpuri në çarmatimin e ELAS-it.

Qeveria e përkohshme, e drejtuar nga gjeneral Plastira premtoi një amnisti për kriminelët politikë si dhe shpërndarjen e formacioneve të djathata që kishin bashkëpunuar me gjermanët 11. Sipas Marrëveshjes së Varkizës, EAM-i pranonte të dorëzonte armë. Por ende pa u tharë boja në letrat e marrëveshjes, në ditët e fundit të shkurtit 1945 garnizonet e EDES-it shkelën marrëveshjen e Varkizës duke kryer pabesisht sulme kundër Çamërisë. Forcat e garnizoneve të EDES-it u nisën me anijet e linjës Korfuz- Gumenicë dhe zbarkuan në brigjet e Çamërisë. Kështu, banda e Vasil Ballumit zbritën në skelën e Volës, ndërsa në skelën e Sajadhës zbritën njësitë e Vasil Rizos, Ilia Kaços dhe komandantë të tjerë të EDES-it.

Këto trupa depërtuan deri në fshatin Spatar dhe dëbuan komandën EAM-iste që interesohej të sistemonte në shtëpitë e çamëve familjet e krishtera të Asproklisë, fshat malor në rrethinat e Filatit. Familjet e tyre ishin dëbuar nga EDES-i dhe fshati i tyre ishte djegur nga gjermanët 12. Në skelën e Gumenicës zbriti banda e Pantazenjve me të vetët nga fshatrat e Paramithisë. Në Paramithi, banda famëkeqe e Pantazenjve hynë duke kënduar këngën e Hajdos, heroinës suljote dhe shkatërruan zyrat e EAM-it dhe të partisë komuniste Greke.

Frika dhe shqetësimi kishin pushtuar jo vetëm familjet çame, që u gjendën ato ditë në zemër të Filatit, por edhe shqiptarët çamë këtej kufirit, që e mësuan menjëherë lajmin e hidhur.

Bandat e Zervës, nën drejtimin e Ilia Kaçit, Vasil Bollamit e Pantazenjve grumbulluan ne një vend të veçantë gratë, vajzat dhe nuset çame, ndërsa ndaj burrave vërsulën njerëz civil të armatosur grekë duke i masakruar. Turma grekësh civil dhe me uniforma, hynin e dilnin në qendrën ku ishin gratë dhe vajzat çame e, pasi i përdhunonin, i nxirrnin lakuriq mes turmës së edeistëve që talleshin kafshërisht me to, për t’i vrarë më pas në mënyrë ç’njerëzore, siç kishte ndodhur kohë më parë në Paramithi, Margëlliç, Pargë dhe në Filat. Pasi masakruan mjaft çamë të pafajshëm të Filatit, në vendin e quajtur Varnar, dy kilometër larg Filatit, civilë të armatosur edeistë sulmuan familjet çame që largoheshin drejt Shqipërisë. Atje u masakruan 271 vetë, prej të cilëve 120 burra, 60 gra dhe 15 fëmijë 13.

REAGIMI I KOMITETIT ANTIFASHIST ÇAM

Kundër kësaj masakre të pashembullt, Komiteti Antifashist Çam reagoi ashpër pranë Misionit të Aleatëve në Tiranë dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare. Komiteti Çam, nëpërmjet Musa Demit kërkonte me këmbëngulje nga Misioni Britanik në Tiranë që Aleatët të krijonin një komision hetimor, në përbërjen e të cilit të merrte pjesë edhe një përfaqësues çam për të hetuar krimet që kishin bërë grekët ndaj shqiptarëve të Çamërisë. 14) dhe në fund, kryetari i Misionit Britanik në Shqipëri, Gjeneral Hudgson vendosi dërgimin e komisionit hetimor të kryesuar nga zëvendësi i tij, nënkolonel Palmer. Ai e vizitoi Greqinë nga data 9-14 prill 1945. Palmeri takimin e parë e bëri me majorin Sarandi, njeriun që ishte më pranë Napoleon Zervës.

Lidhur me interesimin e Palmerit për masakrat që ishin bërë në Çamëri në qershor dhe në shtator 1944 në Filat, majori edist ‘e sqaroi’ se gjeneral Zerva pranonte që në Çamëri ishin bërë krime të shëmtuara si nga grekët kundër çamëve, ashtu edhe nga çamët kundër grekëve. Lidhur me masakrën e 6 marsit 1945 në Filat, Sarandi i deklaroi Palmerit se ata nuk i kishin bërë edeistët, por disa të krishterë korfjatë që kishin vepruar pa dijeninë e edistëve dhe se viktimat për të cilët ‘shprehte keqardhje’ nuk ishin më shumë se 60 vetë 15).

Në raportin e Palmerit nuk zbardhet e vërteta e krimeve të tmerrshme që kishin bërë bandat e Zervës. Ai i paraqet dhe i akuzon çamët si vrasës, kriminelë, madje arrin deri atje që të mohojë kontributin që kishin dhënë çamët në luftën antifashiste.

Në situatën e krijuar Palmeri nuk kishte as zbardhjen e çështjes çame dhe e dramës së popullsisë pame, as kthimin e tyre në Çamëri, por marrjen në mbrojtje të minoritetit grek në Shqipëri, që ai mos të bëhej objekt reprezaljesh, në përgjigje të dëbimit masiv të minoritetit çam. Në këtë drejtim Misioni Britanik në Shqipëri manovronte duke joshur me premtime si qeverinë e Tiranës, ashtu edhe përfaqësuesit e minoritetit çam. Në raportin e tij, Palmeri propozonte kryetarit të misionit Britanik në Shqipëri dhe Londër, se ndaj qeverisë shqiptare duhej ndjekur një “politikë e sadisfaksionit” 16 për të ardhmen që donte të thoshte pranimin sa për sy e faqe të kërkesave të qeverisë shqiptare. Palmeri ndërkaq, kërkonte që edhe qeveria greke, për momentin, të premtonte për kthimin e çamëve. Në këto çaste të vështira Komiteti Antifashist Çam dhe kryetari i saj Musa Demi nga Filati, u bënë zëri gjëmues i Çamërisë martire./Gazeta Panorama