Thu, Apr 17, 2025

Jorida Tabaku: Kriza në konsum, shkak i rënies së të ardhurave

  • PublishedApril 8, 2025

Jorida Tabaku: Kriza në konsum, shkak i rënies së të ardhurave

Deputetja e Partisë Demokratike dhe kandidatja për listën e hapur, Jorida Tabaku, zhvilloi një takim me qytetarët dhe bizneset në rrugët Hajdar Hidi dhe Islam Alla në kryeqytet, duke diskutuar shqetësimet kryesore lidhur me krizën ekonomike.

Në bisedë me bizneset dhe qytetarët, Tabaku argumentoi se “kriza aktuale në konsum vjen kryesisht si pasojë e rënies së të ardhurave të qytetarëve”.

Sipas saj, kjo situatë ka dëmtuar ndjeshëm fuqinë blerëse dhe është reflektuar menjëherë në aktivitetin ekonomik të bizneseve.

Tabaku shpjegoi se një ndër shkaktarët kryesorë të rritjes së kostove dhe çmimeve është niveli i lartë i taksave mbi karburantet.

 “Taksat tek nafta zënë 50% të çmimit përfundimtar që paguajnë qytetarët dhe bizneset, heqja ose ulja e këtyre taksave do të ndikonte drejtpërdrejt në uljen e çmimeve dhe përmirësimin e konsumit”, është shprehur ajo.

Si zgjidhje konkrete, Tabaku propozoi modelin e një shteti të vogël, me taksa të ulëta dhe një qeveri më efikase, që punon realisht në interes të shqiptarëve.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve që më 11 maj të votojnë për politika që synojnë rikthimin e mirëqenies ekonomike dhe fuqizimin e biznesit.