Tirana fiton shpresën, mund Partizanin pas 918 ditësh, të kuqtë inekzistent në fushë rrezikojnë “Final 4”
Kryeqyteti vishet bardheblu. Pas 918 ditës e plotë 10 derbi pa fitore më në fund Tirana ia del të mund Partizanin në derbi, një fitore që vlen sa një sezon, pasi i jep akoma shpresë skuadrës së drejtuar nga Bledi Shkëmbi për të kërkuar mbijetesën deri në javën e fundit të sezonit. Ndërkohë një derbi për tu harruar sa më parë nga të kuqtë, që ishin inekzistent në fushën e blertë dhe tashmë rrezikojnë edhe Final 4, pasi ndjejnë nga fare pranë frymëmarrjen e Elbasanit.
Bardheblutë e nisën ndeshjen në sulm dhe lëshuan sinjale të qarta. Në minutën e 19 Tirana kaloi në avantazh. Sulmuesi francez Zharmuni përfitoi në maksimum nga një top i kthyer pas përplasjes në traversë pas një goditje dënimi, dhe nga fare pranë realizoi me kokë, për të zhbllokuar shifrat.
Tirana do të dyfishonte shifrat teksa 4 minuta nga fundit një depërtim fantastik i Zharmuni, me këtë të fundit që provoi të fusë një top në qendër, por Ismaili preku topin me dorë, duke shkaktuar 11-metërsh. Nga pika e bardhë nuk fal Zharmuni, me një ekzekutim perfekt, duke mundur Alban Hoxhën për golin e dytë.
Tekniku Gega provoi të ndryshonte në pjesën e dytë, por sërish skuadra e tij nuk shpalosi thuajse asgjë. Për të mbyllur llogaritë përfundimisht në derbi, do duhet të vinte minuta e 68, teksa portieri i të kuqve, Hoxha shkaktoi penallti duke penguar kundërshtarin. Gjakftohtë nga 11-metra, Ernest realizoi edhe golin e 3 duke siguluar përfundimisht fitoren e Tiranës.
Të kuqtë gjetën golin e nderit me Kekon, por nuk mund të kishte festë, pasi u anulua për pozicion jashtë loje gjatë aksionit.
Pas këtij suksesi Tirana renditet në vendin e tetë me 35 pikë dhe sheh nga mbijetesa. Në krahun tjetër, ekipi i Gegës vendos në rrezik Final Four, pasi ka vetëm një pikë më shumë se Elbasani.
“Derbi fisnik, Tirana fiton shpresën”, ky ishte titulli kryesor ditën e sotme me të cilin u hap “Panorama Sport”, gazeta sportive më e madhe në vend, që nënvizon suksesin e bardhebluve pas 918 ditësh ndaj rivalit të përjetshëm Partizanit.
