Ancelottit i lëkundet stoli, ndaj Arsenal kërkohet përmbysja
Ashtu si në fushë, edhe jashtë sajë, në futboll gjërat mund të ndryshojnë shumë dhe shpejt. Nuk mjaftojnë as tre Champions League të fituar për ta bërë gjumin i qetë. Në mënyrë të papritur, Ancelotti nuk është më i paprekshëm në krye të Realit, edhe për një trajner kaq të madh, në fund ato që kanë rëndësi janë rezultatet dhe vazhdimësia.
Humbja 3-0 e pësuar përballë Arsenal ka rikthyer edhe një herë në Spanjë diskutimin mbi të ardhmen e teknikun italian. Carlo është nën kontratë deri në 2026, por fati i tij mund të ndryshojë në fund të këtij sezoni, gjithnjë nëse e mbyll vitin pa trofe të rëndësishëm, Champions ose La Liga. Sigurisht ky diskutim mund të ndryshojë sërish, nëse Reali bën atë që di më mirë, përmbys Arsenal, apo nëse arrin ta parakalojë Barcelonën në Spanjë.
Nuk është një sekret që Perez e ka piketuar prej kohësh pasuesin e tij, Xabi Alonso. Pikërisht ky detaj bezdis jo pak edhe vetë Ancelottin, pasi emri i teknikun bask po lakohet prej kohësh në Madrid, edhe pse ekipi i tij është në garë për çdo trofe.

Kjo situatë mund të bëjë që edhe vetë Ancelotti të ndryshojë mendim në lidhje me të ardhmen e tij. Në çdo dalje publike, Carlo ka theksuar se preferon të mbyll karrierën e tij në Madrid, por së fundmi edhe italiani po e tundon ideja për një rikthim në Serie A, ku Roma dhe Milan janë gati t’i rezervojnë stolin për sezonin e ardhshëm. Gjithashtu, një opsion tjetër konkret është edhe përfaqësuesja e Brazilit, me 5 herë kampionët e Botës që janë t’i ofrojnë stolin në Botërorin e 2026.
()