Suksesi nuk “deh” Barçën, Flick-Leva: Fokusi te ndeshja e radhës
Suksesi 4-0 përballë Dortmund do të bënte me “krah” çdo trajner, por jo Hansi Flick i cili në karrierën e tij është mësuar me fitore të tilla. Tekniku i Barçës as që ka ndërmend të ndalet, por qëndron me këmbë në tokë, nuk preferon të shoh më larg se sa ndeshja e kthimit në “Iduna Parak”:
“Gjëja më e rëndësishme për mua është që luajtëm ashtu siç dimë. Kur luajmë në këtë mënyrë realizojmë gola. A mund të ëndërrojmë për gjëra të mëdha? Të qëndrojmë me këmbë në tokë, është ende një ndeshje për t’u luajtur, ajo e kthimit”, u shpreh Flick.
Lojtari i ndeshjes sipas UEFA u vlerësua Robert Lewandowski, me polakun që realizoi një “dopietë” golash: “Mendoj se kemi luajtur mirë, por nuk po mendojmë ende për gjysmëfinalen, është ende një ndeshje për t’u luajtur. Do të shkojmë në Dortmund për të fituar, ky është gjithnjë objektivi ynë. Numrat personal? Jam shumë i kënaqur për këto numra, 99 gola me Barcelonën. Si sulmues duhet të mendosh gjithnjë për të shënuar, por nëse luajmë kështu është më e lehtë”, u shpreh Leva.
I dorëzuar pas një humbje të tillë u shfaq Niko Kovac, trajneri i B.Dortmund: “Mendoj se merituam humbjen. Pësuam 3 gola me kundërsulm, thjesht u mbrojtëm keq, na mungoi qetësia, morëm vendime të gabuara”, u shpreh Kovac.
()