“Adolescence”- fenomen global! Aktori kryesor: Unë nuk e kam parë serialin
Netflix ka goditur sërish në shenjë me një prodhim që ka rrëmbyer audiencën mbarëbotërore. Seriali dramatik “Adolescence” ka kapur shifrën mbresëlënëse prej 114 milionë shikimesh brenda një muaji, duke u shndërruar në një nga sukseset më të mëdha të platformës.
Në qendër të historisë që ka prekur zemrat e miliona shikuesve është Jamie Miller, një 13-vjeçar i përfshirë në një ngjarje tragjike – i akuzuar për vrasjen e një shoqeje të klasës. Roli i interpretuar nga Owen Cooper është vlerësuar gjerësisht nga kritika, duke e vendosur aktorin e ri në qendër të vëmendjes që në premierën e serialit.
Por, pavarësisht famës që ka fituar, Cooper ka habitur me rrëfimin e tij të sinqertë: “Nuk e kam parë të gjithë serialin. Është e sikletshme ta shoh në shkollë, sidomos kur janë edhe shokët e mi aty”, ka thënë ai për DailyMail.
Owen e nisi këtë aventurë kur ishte vetëm 13 vjeç. Sot, në moshën 15-vjeçare, ai e përshkruan përvojën si “të çmendur, por edhe shumë argëtuese”. Ai tregon se si nxënësit më të vegjël e ndjekin në korridore, thërrasin emrin e tij dhe qeshin – një pasojë e menjëhershme e famës që i ka dhuruar roli i Jamie-t.
“Adolescence” ka spikatur jo vetëm për tematikën e thellë dhe ngjarjen e ndërtuar me shumë ndjeshmëri, por edhe për interpretimet mbresëlënëse, veçanërisht nga aktorët e rinj. Ndërkohë që seriali vazhdon të thyejë rekorde, ai ka hapur një debat më të gjerë mbi ndikimin që fama e parakohshme ka te fëmijët dhe adoleshentët në moshë të njomë.