Fri, Apr 18, 2025

“Duhet të fitojmë të tre ndeshjet e mbetura”, Shkëmbi “hedh dorashkën”: Të marrim maksimumin, llogaritë bëhen në fund

  • PublishedApril 11, 2025

“Duhet të fitojmë të tre ndeshjet e mbetura”, Shkëmbi “hedh dorashkën”: Të marrim maksimumin, llogaritë bëhen në fund

Skënderbeu-Tirana është padyshim sfida më interesante e javës së 34 në Kategorinë Superiore në vend. Një sfidë jetë a vdekje, ku të shtunë në Korçë, Skënderbeu dhe Tirana do të luajnë fatin e një sezoni të tërë. Të dyja skuadrat janë në emergjencë për pikë, në një garë të ethshme për mbijetesë që me shumë gjasa do të zgjasë deri në 90 minutat e fundit të sezonit.

Trajneri i bardhebluve foli para ndeshjes me Skënderbeun, që do të luhet nesër në Korçë nga ora 15:30.

“Objektivi i Tiranës, të fitojmë 3 ndeshjet e mbetura duke nisur nga ndeshja e radhës kundër Skënderbeut. Më e vështira është ndeshja e radhës kundër Skënderbeut.

Fitorja në derbi na dha njëfarë qetësie, duhet të na japë moral dhe besim. Nuk i besoj shumë statistikave, di që është ndeshje e vështirë kundër Skënderbeut. Skuadër që po bën mirë, ka lojtarë dhe skuadër të mirë, po luan mirë futboll, duhet të bëjmë maksimumin si në derbi. Duhet ta mendojmë këtë ndeshje në atë mënyrë si menduam dhe luajtëm kundër Partizanit.

Ernest nuk do të jetë. Pjesa tjetër janë të gjithë lojtarët që ishin të gatshëm në ndeshjen e fundit.

Nuk mendoj se ka ndryshim, edhe Skënderbeu do të luajë për të fituar. Llogaritë për pikët bëhen pas ndeshjes. Kryesorja si luan dhe çfarë kërkon. Për skuadrën tonë kjo është e rëndësishme, që të bëjmë ndeshje të mirë, të kërkojmë ta fitojmë, të shfrytëzojmë shanset dhe të jemi të kujdesshëm në ato minuta që kemi pasur probleme pothuajse gjatë gjithë kampionatit.

Kemi thënë shumë herë deri tani, të paktën në javët e fundit, që është ndeshja më e rëndësishme e sezonit. Në moment më përpara, mendova se me Bylisin ishte më e rëndësishmja. Pavarësisht gabimit që bëmë, jemi akoma në garë, duke luftuar, por që në këto javë të mbetura, janë shumë pak dhe mendoj që patjetër është shumë e rëndësishme.

Patjetër që ndikon mungesa e Ernest. Skuadra kishte ndërtuar fizionomi me Ernest përpara si lojtar kryesor të sulmit. E kam thënë pothuajse në çdo ndeshje ku kemi pasur mungesa, një skuadër nuk duhet të varet nga një lojtar. Dhe pse kemi mungesën e Ernest, ne do bëjmë mirë.

Kundër Skënderbeut nuk do doja të ishim në këtë situatë. Unë do bëj maksimumin dhe dëshiroj shumë të fitoj këtë ndeshje, të marrim 3 pikë, pavarësisht atyre ndjenjave që kemi për skuadra të ndryshme, në rastin konkret Skënderbeu.

Dëshira kryesore është që me Skënderbeun të bëjmë maksimumin, të marrim 3 pikë dhe pastaj të shikojmë edhe ecurinë e të tjerëve sepse jo çdo gjë është në dorën tonë”, u shpreh Shkëmbi.

 


AlbaniaWeb.net