“Humbjen në derbi e përjetova jo mirë”, tekniku Gega flet para sfidës ndaj Egnatias: Ndaj rrogozhinasve do të bëjmë ndryshime
Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, shprehu keqardhje për humbjen e skuadrës së tij në derbin ndaj Tiranës. Ai theksoi se e përjetoi keq, ndërsa shtoi se është e pafalshme të pësohet një gol i tillë te Partizani, si ai i pari, pas goditjes standarde.
Gega deklaroi se do të ketë ndryshime ndaj Egnatias, në sfidën e radhës në kampionat.
“Humbja e një derbi e ka një impakt gjithmonë. Personalisht e kam përjetuar keq për dy arsye. Jam pjesë e derbit prej shumë vitesh. Keqardhje për mënyrën si u shfaqëm në fushë dhe si u dënuam nga dy penallti dhe një goditje standarde. Nuk mund të vëmë gishtin në një lojtar.
Kujtoj golin e parë të pësuar. Është e pafalshme për një klub si Partizani, që ta pësojë ashtu nga goditja standarde. Ishin tetë lojtarë që vetëm shikonin. Ekipi tjetër ishte më kërkues.
Ndeshja Partizani-Egnatia do të luhet të Shtunën, duke nisur nga ora 15:30.