Sun, Apr 13, 2025

Gjurmë gjaku, lecka e njollosur dhe një version i dyshimtë/ Zbardhen detaje të reja nga vrasja e Ilaria Sulës, çfarë u gjet në banesën e vrasësit

  • PublishedApril 12, 2025

Një sërë provash tronditëse janë zbuluar në banesën e Mark Samson, i riu që vrau shqiptaren Ilaria Sula dhe fshehu trupin e saj në një valixhe, të cilën më pas e hodhi në një shkëmb në periferi të Romës, sipas raportimeve të La Repubblica.

Në banesë u gjetën jastëkë të pistë në kabinën e dushit, një njollë në murin e korridorit dhe shenja të dyshimta në lavaman, në pjesën e pasme të një karrigeje, në derën e makinës dhe në një kuti mbi një dollap. Gjurmë flokësh, pështymë dhe gjak janë identifikuar në disa nga këto objekte.

Objekti që ka ngjallur më shumë interes është një leckë e njollosur me një substancë të kuqe, që dyshohet se është përdorur për të pastruar skenën e krimit. Nëse vërtetohet se është gjak, do të mbështeste rrëfimin e Markut dhe nënës së tij – të dy nën hetim për fshehje trupi – të cilët pretendojnë se pastruan gjurmët pas vrasjes.

Hetuesit po presin rezultatet e autopsisë për të përcaktuar kohën e saktë të vdekjes. Marku pretendon se e goditi Ilarian me thikë në fyt mëngjesin e 26 marsit, pasi i kishte çuar mëngjesin në dhomë.

Por ky version është i vështirë për t’u besuar. Sipas të dhënave të siguruara nga telefoni i viktimës, trupi i saj ka dalë nga godina rreth orës 10:20 të datës 26 mars. Deri në atë moment, Marku duhet të kishte kryer një sërë veprimesh: ta kishte vrarë, të kishte shkuar për të blerë disa produkte (faturat e gjetura e vërtetojnë), të kishte pastruar vendin e krimit dhe të kishte fshehur trupin në një karrocë – gjithçka brenda pak orëve. Kjo bën që rrëfimi i tij të jetë gjithnjë e më pak i besueshëm.

Një detaj që ngre më shumë pikëpyetje është prania e babait të Markut në banesë mbrëmjen e 25 marsit. Edhe pse ai nuk është aktualisht nën hetim, prania e tij në kohën e ngjarjes ka shtuar dyshimet e hetuesve.


AlbaniaWeb.net