Bardhi në fshatrat e Roskovecit! Fermerët ankohen për investime: Nuk kemi treg, na i marrin produktet për 5 lekë
Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Fierit, Gazment Bardhi ishte në fshatrat e Roskovecit, ku është takuar me fermerë dhe banorë të zonës, për të parë gjendjen e vështirë të tyre, që vuajnë mbështetjen e qeverisë për të vijuar të punojnë tokën.
Gjatë bisedës ne fshatin Suk të bashkisë Roskovec në serën e Ilir Rukos, Bardhi deklaroi se me programin e Partisë Demokratike i jepet zgjidhje disa prej problemeve më të mprehta që ka sot fshati shqiptar dhe sidomos në këto zona ku për vite me radhë është aplikuar bujqësi intensive me prodhime që kanë shkuar edhe për eksport jashtë vendit.
Sipas Bardhit, mbështetja për fermerët është pjesë e planit të emergjencës 100 ditore në programin e Partisë Demokratike.
“Ne kemi marrë kush janë 10 shqetësimet kryesore që kanë njerëzit. Pra nuk kemi dalë për t’i dhënë zgjidhje çdo gjëje. Se ti nuk i zgjidh dot të gjitha brenda një mandati. Pse e kemi bërë këtë? E kemi bërë këtë, pasi pas 4 vitesh do të vijmë prapë këtu dhe do përballemi me njerëzit çfarë u kemi premtuar dhe çfarë kemi bërë. Kam premtuar këtë gjë, e kam bërë këtë gjë. Prandaj nuk kemi hapur thesin për të thënë që do zgjidhim këtë e do zgjidhim atë. Kemi marrë vetëm kush janë shqetësimet kryesore dhe prandaj e kemi shpallur prioritet bujqësinë. Mjafton të mbështesësh fermerët me atë fond që ne kemi parashikuar dhe me 2-3 gjëra që janë lehtësira dhe ti ke nxjerrë gjysmën e popullsisë nga mjerimi”, deklaroi Bardhi ndër të tjera.
Gjatë bisedës në një serat e fshatit, Suk, fermerët ngriten shqetësimin për ndikimin negativ që ka pasur projekti “Open Balkan” dhe largimin e të rinjve.
“Neve na mori m’qaf edhe ky Open Ballkan. Nuk konkurojmë dot ne me serbin, me maqedonasin… Dhe kështu që Open Ballkan ne fermerët shqiptarë na groposi. Këtu në fshat s’ka mbetur këmbë njeriu. Mua më merr malli për nipat dhe për mbesat. Kam 5 nipër e mbesa dhe nuk kam asnjë në shtëpi”, u shpreh fermeri Ilir Ruko.
Në këto takime, Bardhi ishte bashkë me kandidatin e PD përdeputet në këtë zonë, Pelivan Bufi.