Humbje për kinemanë: Ndërron jetë aktori i njohur i “Dazed and Confused”
Aktori amerikan Nicky Katt, i njohur për rolet e tij në filmat “Dazed and Confused” dhe “School of Rock”, ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga avokati i tij, John Sloss, për mediat amerikane. Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur.
Katt lindi më 11 maj 1970 në South Dakota dhe nisi karrierën si aktor fëmijë në vitet ’80, me paraqitje në seriale si “CHiPs” dhe “Fantasy Island”. Ai u bë i njohur për interpretimin e personazheve kompleksë dhe shpesh të errët, si në filmat “A Time to Kill”, “The Limey”, “Boiler Room” dhe “The Way of the Gun”. Në televizion, ai spikati me rolin e mësuesit Harry Senate në serialin “Boston Public”.
Aktori u tërhoq nga skena në vitin 2018, por mbetet i kujtuar për stilin e tij të veçantë dhe prezencën e fortë në ekran. Vdekja e tij përfaqëson një humbje të ndjeshme për industrinë e filmit dhe televizionit.