Tue, Apr 15, 2025

Llapi triumfon në Gjilan, Malisheva mposht liderin

  • PublishedApril 13, 2025

Llapi triumfon në Gjilan, Malisheva mposht liderin

Skuadra e Llapit ka regjistruar një fitore tejet të rëndësishme në kuadër të javës së 28-të të Albi Mall Superligës, duke iu shmangur pozitës së parafundit në renditje.
Në përballjen e zhvilluar të dielën në stadiumin me bari artificial në Gjilan, llapjanët arritën të përmbysin rezultatin dhe të mposhtin skuadrën vendase me shifrat 3:2.

Gjilani kaloi në epërsi në minutën e 63-të me golin e Edi Bashës, por vetëm nëntë minuta më vonë, Ardit Tahiri barazoi rezultatin në 1:1.

Në minutën e 78-të, Arianit Hasani shënoi për epërsinë e Llapit, por Gjilani reagoi me golin e barazimit në minutën e 86-të përmes Armend Thaqit.

Megjithatë, në minutat shtesë të ndeshjes, Llapi fitoi një penallti të cilën e konkretizoi sërish Ardit Tahiri, duke i siguruar skuadrës së tij një fitore me shumë vlerë në garën për mbijetesë.

Pas kësaj fitoreje, Llapi renditet në pozitën e tetë me 33 pikë, një më shumë se Suhareka, që gjendet në vendin e nëntë. Ndërkohë, Gjilani mban pozitën e pestë me 38 pikë.

Në ndeshjen tjetër, Malisheva ka shënuar fitore minimale, por shumë të rëndësishme ndaj lideres së tabelës, Dritës.
Takimi i zhvilluar në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë përfundoi me rezultatin 1:0 në të mirë të vendasve. Golin e vetëm e realizoi Besnik Ferati në minutën e fundit të pjesës së parë.

Në pjesën e dytë, Drita pati mundësi për të barazuar nga pika e bardhë, mirëpo portieri Ilir Avdyli priti goditjen e Besnik Krasniqit.

Me këtë fitore, Malisheva forcon pozitën e tretë, që siguron një vend në garat evropiane. Tani ajo ka 47 pikë, vetëm tre pikë më pak se Ballkani i pozitës së dytë.


AlbaniaWeb.net