Wed, Apr 16, 2025

Në Teatrin “Skampa” në Elbasan sukses i jashtëzakonshëm i premierës së komedisë britanike “Çfarë pa Kryeshërbëtorja”

  • PublishedApril 13, 2025

Këtë fundjavë Teatri “Skampa” në Elbasan ka pasur një premierë të jashtëzakonshme me komedinë “Çfarë pa Kryeshërbëtorja”, një vepër të autorit britanik Joe Orton e cila ka sjellë një përvojë të paharrueshme për publikun elbasanas. Kjo shfaqje ka qenë një përzierje brilante mes humorit absurd dhe tronditës së marrëdhënieve njerëzore duke e bërë të paharrueshme për ata që e ndoqën. Nën regjinë mjeshtërore të Kiço Londos shfaqja ka ofruar për publikun një kombinim të natyrshëm të komedisë me një kritikë të thellë të shoqërisë duke i dhënë mundësinë spektatorit të reflektojë dhe të mendojë mbi realitetin e jetës.

Shfaqja ka pasur një kastë aktorësh të njohur dhe të vlerësuar në teatrin shqiptar të cilët kanë sjellë në jetë personazhe të jashtëzakonshme dhe komplekse. Emra si Helidon Fino, Egla Ceno, Linda Jarani, Mario Elezi, Ëngjell Hoxha dhe Livjon Aliaj kanë bërë një interpretim të shkëlqyer që ka pasuruar dhe thelluar ngjarjen në skenë. Çdo aktor ka arritur të krijojë një personazh të veçantë që i jep ngjyrë dhe shpirt shfaqjes duke luajtur me detaje të ndjeshme të karaktereve që luhaten mes çmendurisë, pasioneve të forta dhe absurditetit. Komedia e Orton është një kritikë e ashpër ndaj marrëdhënieve njerëzore duke i hedhur dritë një varg situatash që shprehin konflikte, dëshira të pashprehura dhe fantazi surreale.

  • foto galeri
  • foto galeri

Në skenë personazhet janë të fiksuar pas një sërë ndodhish që përfshijnë një punonjës hoteli të përfshirë në një rrjet intrigash, një sekretare që qëndron pas perdes, një zonjë elegante por e humbur në alkool dhe një profesor me fantazi të çuditshme. Të gjitha këto ngjarje janë të ndërthurura me paraqitjen e një polici i cili ndërhyn në një situatë që e bën edhe më absurde dhe të papritur.Një nga elementët më të fuqishëm të kësaj shfaqjeje është përdorimi i një atmosfere të thellë dhe enigmatike që shton më shumë tensionin dhe humorin absurd të ngjarjeve. Në sfond mjegulla e trashë e purove të Çurçillit i jep një dimension më të thellë dhe misterioz situatave që ndodhin në skenë. Kjo është një mënyrë mjeshtërore për të theksuar absurditetin e ngjarjeve duke i dhënë shfaqjes një dimension të veçantë dhe intrigues.Kjo premierë është një dëshmi tjetër e gjallërisë dhe vitalitetit të jetës artistike në Elbasan dhe një konfirmim i angazhimit të drejtorit artistik të teatrit “Skampa”, Kliton Kapaj për zhvillimin e kulturës dhe artit teatror në qytet.

Falë përkushtimit të tij dhe ekipit të aktorëve e regjisorëve, Teatri “Skampa” i Elbasanit vazhdon të jetë një qendër e rëndësishme për aktivitetet që kontribuon në zhvillimin e artit dhe edukimin kulturor në rajon dhe më gjerë.Shfaqja “Çfarë pa Kryeshërbëtorja” do të vazhdojë të shfaqet në Teatrin “Skampa” deri më 16 maj duke ofruar mundësinë për të gjithë ata që nuk kanë mundur ta ndjekin për të shijuar këtë vepër të paharrueshme të komedisë britanike.


AlbaniaWeb.net