Tue, Apr 15, 2025

VIDEO/ Parandalimi i aksidenteve, policia: Në 2 javë, 165 gjoba për shkelje të rregullave të qarkullimit në Tunelin e Murrizit

  • PublishedApril 13, 2025

Policia Rrugore intensifikon monitorimet e akseve rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Vetëm në dy javë, policia ka ndëshkuar me gjoba, 165 drejtues automjetesh, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në Tunelin e Murrizit.

Në një njoftim për shtyp, policia thotë se nga monitorimi me dronë, radarë, kamera, makina inteligjente dhe patrulla me mjete të pauniformuara, 24/7, dhe në bashkëpunim me administratorët e mirëmbajtjes së tuneleve, po monitorohen 24/7 lëvizjet në tunele dhe pamjet filmike të kamerave dhe radarëve të tuneleve administrohen nga Policia Rrugore.

“Për të gjitha shkeljet e konstatuara, Policia Rrugore vendos masën administrative, e cila pasqyrohet menjëherë në portalin e-Albania, në adresën e drejtuesit të automjetit apo subjektit që është konstatuar në shkelje të Kodit Rrugor, për të cilin, krahas masës administrative, aplikohet edhe sanksioni plotësues i zbritjes deri në 15 pikë nga leja e drejtimit.

Përgjatë dy javëve të fundit, në Tunelin e Murrizit janë ndëshkuar 165 drejtues automjetesh me masë administrative 40000 lekë të rinj dhe me zbritje prej 15 pikësh nga leja e drejtimit.

Policia Rrugore apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e automjeteve, motomjeteve, këmbësorët, si dhe nga ata që lëvizin me biçikleta ose me monopatina”, thuhet në njoftimin e policisë së shtetit.

()

 


AlbaniaWeb.net