Emri/ I kërkuar për tentativë vrasjeje në Velipojë, arrestohet shqiptari në Itali, pritet ekstradimi në Shqipëri
Një tjetër shtetas shqiptar përfundon në prangat e policisë, falë bashkëpunimit të ngushtë mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane.
Një 26 -vjeçar i identifikuar si Kristian Lulaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për një tentativë vrasjeje me armë zjarri në Velipojë, është lokalizuar dhe arrestuar në Itali me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Ngjarja për të cilën akuzohet i riu ka ndodhur një vit më parë në fshatin Malikolaj, ku dyshohet se ka tentuar të vrasë 27- vjeçarin, për motive të dobëta.
Sipas vendimit të Gjykatës së Shkodrës, ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: Vrasja me dashje, mbetur në tentativë” dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municionit.
Njoftim:
Në vijim të bashkëpunimit me homologët italianë, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, bazuar në informacionet e shkëmbyera ndërmjet palëve, u lokalizua në Itali, u kap dhe u arrestua, shtetasi:
K. L., 26 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky shtetas akuzohet se në fshatin Malikolaj, Velipojë, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin E. P., 27 vjeç, për motive të dobëta.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma do kryejnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.
()