Kartona të kuq dhe VAR, Real Madrid fiton dhe ruan hapin e Barcelonës, mediat “kryqëzojnë” Mbappe-n
Real Madrid vuan, por arrin të fitojë ndaj Deportivo Alvavez në javën e 31 të La Ligës, duke ruajtur hapin e Barcelonës kryesuese. Një sukses i rëndësishëm për skuadrën e Ancelottit, që vjen pas disfatës në Champions në aktin e parë të fazës çerekfinale të Champions League ndaj Arsenal. Ndaj Alavez, “Los Blancos” nisën mirë takimin teksa që në nisje të sfidës Arda Guler pretendoi për një 11 metërsh, por me gjyqtarin kryesor që la lojën të luhet. VAR u bë protagonist në minutën e 19 teksa u anulua një gol i Asencio për faull në sulm për ekipin madrilen.
Real Madrid mori frenat e lojës duke kontrolluar topin e duke intensifikuar rastet në portën e vendasve, me ekipin e Ancelotit që u shpërblye në minutën e 34 teksa mesfushori francez Camavinga me një goditje potente nga jashtë zone gjen cepin e djathtë të portës për golin e avantazhit. Sërish VAR protagonist teksa 4 minuta pas golit, Kylian Mbappe kryen një ndërhyrjet horror në mesin e fushës ndaj një kundërshtari dhe gjyqtari kryesor pasi sheh episodin në monitor i nxjerr kartonin e kuq.
Real luan me 10 lojtarë, por kjo deri në minutën e 70, aty ku numrat në fushën e lojës do të barazoheshin, pas daljes nga loja të Manu Sanches për vendasit pas ndërhyrjes që kreu ndaj Vinicius. Me rivendosje e ekuilibrit numerik në fushë, Real e pati më të thjeshtë të administronte avantazhin, madje pati edhe shansin ideal për të gjetur golin e dytë në fund, por Bellingam nga fare pranë godet fort, por topi godet portierin e vendasve. Përfundimisht Real siguron 3 pikë të rëndësishme dhe vijon të ketë diferencën -4 pikë nga katalanasit e drejtuar nga Hansi Flick.
“Dhe tani për mrekullin” shkruan e përditshmja madrilene Marca, duke iu referuar sfidës së radhës që i pret skuadrën e Ancelottit ndaj Arsenal, aty ku madrilenët do të tentojnë përmbysjen e madhe. Ndërkohë “AS” dhe “SPORT” i kushtuan më shumë vëmendje ndërhyrjes “horror” të sulmuesit francez Kylian Mbappe, që sipas tyre ishte e papranueshme. Sipas mediave Mbappe rrezikon një pezullim deri në 3 ndeshje.


