Berisha-diasporës: Refuzoni fotografimin e votës. Votoni ndryshimin për t’u ndarë nga e keqja që po zbraz Shqipërinë
Në një fjalim të mbajtur në Vaqarr, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu drejtua qytetarëve dhe sidomos diasporës shqiptare me një mesazh të fortë për ndryshim dhe kundër abuzimeve të qeverisë aktuale. Ai akuzoi drejtues të lartë të shtetit dhe rrethin e tyre familjar për korrupsion masiv, duke përmendur raste konkrete si tenderat e fituar në mënyrë të dyshimtë dhe mungesën e barnave cilësore në treg.
Berisha i bëri thirrje bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit të marrin pjesë në votime më 11 maj dhe të refuzojnë çdo formë presioni, duke përfshirë fotografimin e votës, një veprim i cili, siç theksoi ai, dënohet me ligj në vendet ku ata jetojnë.
“Votoni për ndryshimin, për të ndarë Shqipërinë nga e keqja që po e zbraz dhe po e shkreton,” u shpreh Berisha, duke theksuar se ky është një moment historik për t’i dhënë fund, siç e quajti ai, një diktature të dytë.
Në mesazhin e tij, Berisha premtoi zgjidhje për çështjet e pronësisë, legalizimeve, rritjen e rrogave e pensioneve, si dhe zhvillim të bujqësisë me mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerët. Fjalimi përfundoi me një thirrje për mobilizim dhe shpresë: “Ëndrra shqiptare duhet të ndërtohet këtu. Le të hapim një kohë të re – kohën e shpresës, punës dhe mirëqenies.”
Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha në Vaqarr:
Klani i tij, rrethi i tij familjar, është një rreth hajdutësh. Baxhanaku i tij ka fituar 80-100 tendera që ai që quhet AKSH-i. Është një agjenci që merret me digjitalizimin dhe ka zhdukur qindra milionë euro.
Del tjetri duke folur, jo Linda po ndërhyn tek AKSH, për kunatin ajo. Prokurori e ka, guxon ai të thërrasë Lindën? Në asnjë mënyrë se janë paratë e familjes.
Pra, nëse vidhet në këtë mënyrë nuk ngelet gjë për fshatin, për pensionistët, për të sëmurët.
A e dini se në ç’gjendje e rëndë është problemi i ilaçeve sot. Sot farmacitë tona janë të mbushura me ilaçe të skaduara dhe të vjen keq se, shumica e atyre që kanë një mundësi, gjënë e parë që u kërkojnë njerëzve të tyre jashtë, janë ilaçet.
Kjo do marrë fund.
Tom Doshit dhe Vilma Nushit, dy vampirëve të vërtetë të shëndetit të shqiptarëve do u vihet dylli dhe do bëhen përgjegjës për të gjithë atë që kanë krijuar në shëndetin e njerëzve.
Ne e kuptojmë se ‘Shqipëria Madhështore’ nuk është vetëm dëshmia e dhembshurisë.
Është Shqipëria që prodhon dhe ky prodhim, ju jeni njerëzit që prodhoni. Do bëjmë gjithçka që ju të prodhoni sa më shumë dhe sa më mirë.
Do bëjmë të gjitha kushtet, ekstensionin do e keni falas. Do zgjidhim çdo problem që e keni me pronësinë. Të gjitha lejet e legalizimeve do shndërrohen në tapi legalizimi njëherë e përgjithmonë.
Ju bëj thirrje në emër tuaj, të gjithë vëllezërve në diasporë, të cilët po nisin votimin, të votojnë për ndryshimin, të votojnë këtë vit, që është viti i tyre për tu ndarë me këtë të keqe të madhe, që po e zbraz dhe po e shkreton Shqipërinë.
Ju bëj thirrje, refuzoni dhe mos bëni asnjë fotografi të votës tuaja, sepse ju duhet të jeni qytetarë të mirë të vendeve ku jetoni. Dhe në vendet ku jetoni dënohet me ligj fotografimi i votës.
Prandaj mos zbatoni kodin dhe kërkesën e këtyre mafiozëve të cilët duan të ju kontrollojnë vullnetin tuaj, qëndroni njerëz të lirë, shqiptarë dinjitozë dhe votoni për ndryshimin.
Votoni me 11 maj për të përmbushur atë mision historik që u ka rënë gjeneratës tuaj, përmbysjen e një diktature të dytë.
Miqtë e mi!
Që të gjithë ne në këtë fushatë, mbi të gjitha jemi misionarë.
Secili prej jush me votën tuaj, jeni misionarë për të shpëtuar Shqipërinë nga ky rrënim, nga ky pakësim i frikshëm, nga ky shpopullim dhe varfërim
Sali Berisha është një misionar, është njëri prej jush.
Kam marrë këtë mision me vendosmërinë më të madhe, jo për pushtet, absolutisht, as për para. Por kam marrë këtë mision së bashku me ju, për të patur një të ardhme tjetër të re, për ata djem e vajza që janë këtu, që ata të qëndrojnë këtu. Që këta të qëndrojnë këtu.
Ëndërrën e tyre shqiptare ta ndërtojnë në Shqipëri dhe të mos e eksportojnë në dhena të tjera.
Shqipëria është vendi më i bekuar, ka pasuritë më të mëdha, ka potencialet më të mëdha, ndaj le të firmosim me 11 maj ndryshimin në mënyrë që të hapim një kohë tjetër, kohë shprese, besimi, mirëqënie punësimi.
Ju garantoj ju, se rritja e rrogave dhe pensioneve, dalja jonë në krye për rroga e pensione mes vendeve të rajonit, është qëllimi i parë dhe kryesor që do realizohet.
Faleminderit shumë.