Në vitin 2025, Tirana ende me ujë me orar”, Këlliçi me qytetarët në Njësinë Nr.2: Rezultat i 12 viteve vjedhje dhe keqmenaxhim
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Tiranë, Belind Këlliçi, ka zhvilluar takime me banorë dhe biznese në Degën Nr. 2 të kryeqytetit, ku ka denoncuar problematikat që, sipas tij, janë pasojë e keqqeverisjes së gjatë nga qeveritë e drejtuara nga Edi Rama.
Në një postim në Facebook, Këlliçi thekson se “është absurde që në vitin 2025 Tirana të ketë ende ujë me orar, 2 orë në mëngjes dhe 2 në darkë.” Ai shton se kjo është pasojë e “12 viteve vjedhje dhe keqmenaxhim”.
Ndër temat e diskutuara me qytetarët ishin edhe emigrimi masiv, vështirësitë e jetesës dhe presioni mbi bizneset e vogla nga gjobat dhe taksat. Këlliçi garanton se Partia Demokratike do të sjellë ndryshim përmes investimeve në infrastrukturë, shërbime publike efikase dhe mbështetje për ekonominë lokale.
“Ndryshimi është i mundur dhe ai do të vijë nga vullneti i qytetarëve i shprehur me votë masive në 11 maj,” përmbyll Këlliçi.