Sat, Apr 19, 2025

Detajet e atentatit në Tiranë/ Breshëri plumbash drejt automjetit, 4 të plagosur. Gjendet në Lundër makina G-Class me shenja plumbash

  • PublishedApril 17, 2025

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i mbrëmjes së sotme në Tiranë, ku një automjet është qëlluar me armë zjarri teksa ishte në lëvizje. Sipas informacioneve paraprake, autorët kanë ndjekur mjetin nga rrethrrotullimi i Shkozës dhe kanë hapur zjarr në drejtim të tij gjatë ndjekjes.

Sic raporton gazetari i News24, Igli Çelmeta, mësohet se automjeti që u qëllua, tip G Class është gjetur në Lundër me shenja plumbash.

Menjëherë pas sulmit, autorët dyshohet se janë larguar me shpejtësi dhe më pas kanë djegur automjetin e përdorur në zonën e Lundrës, në një përpjekje për të humbur gjurmët. Automjeti i djegur mbante targa AA 040 YV, të cilat janë në proces verifikimi nga autoritetet.

Nga atentati dyshohet se janë plagosur katër persona. Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se kanë mbërritur të plagosur me armë zjarri shtetasit Arens Stafa, 34 vjeç, dhe Marko Bardhi Demiraj, 17 vjeç, të cilët janë dëmtuar në dorë dhe krahë. Gjithashtu, në sallën e operacionit janë futur Dior Demiraj, 11 vjeç, dhe Kian Mullaj, 19 vjeç.

Policia e Tiranës më herët informoi se më datë 17.04.2025, rreth orës 21:50, në spitalin e Traumës, kanë shkuar dyshohet të plagosur me armë zjarri në Lundër, shtetasit A. S., 34 vjeç, K. M., 19 vjeç, dhe dy të mitur të moshës rreth 11 vjeç dhe 17 vjeç.

Policia tha se është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

()


AlbaniaWeb.net