Sat, Apr 19, 2025

Drita triumfon në derbi ndaj Prishtinës, Ballkani mposht Gjilanin

  • PublishedApril 17, 2025

Drita triumfon në derbi ndaj Prishtinës, Ballkani mposht Gjilanin

Skuadra lidere e AlbiMall Superligës së Kosovës, Drita, ka shënuar fitore të rëndësishme në kuadër të xhiros së 29-të, duke e mposhtur Prishtinën, me rezultat 2:0 në ndeshjen e zhvilluar të enjten në terrenin me bar sintetik në Gjilan.

Heroi i gjilanasve ishte sulmuesi Veton Tusha, i cili realizoi të dy golat e fitores. Ai e zhbllokoi rezultatin në minutën e 15-të, gol që u pranua pas rishikimit të situatës në VAR, ndërsa në minutën e 27-të shënoi edhe golin e dytë.

Me këtë fitore, Drita arrin kuotën e 63 pikëve dhe ruan epërsinë prej dhjetë pikësh ndaj kampionit aktual, Ballkanit, që mban vendin e dytë me 53 pikë. Deri në fund të edicionit kanë mbetur edhe shtatë xhiro për t’u zhvilluar, ndërsa Drita është gjithnjë e më afër titullit të kampionit.

Nga ana tjetër, Prishtina mbetet me 38 pikë në pozitën e pestë, aq sa ka edhe Gjilani në vendin e gjashtë. Prishtina dhe Drita do të përballen sërish më 23 prill në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e dytë të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës. Në ndeshjen e parë fitores iu gëzua Prishtina (0:1).

Ndërkohë, kampioni në fuqi, Ballkani, ka regjistruar fitoren e tretë rresht në kampionat. Skuadra suharekase mposhti Gjilanin me rezultat minimal 1:0. Golin e vetëm të takimit e realizoi sulmuesi Sunday Adetunji në minutën e 32-të, pas një goditjeje me kokë nga afërsia.

Ballkani e përfundoi ndeshjen me dhjetë lojtarë, pasi Inacio u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 89-të. Gjilani, ndërkohë, regjistroi humbjen e dytë rresht dhe mbetet në garë për mbijetesë në elitë.


AlbaniaWeb.net