Kampionët po ikin! Colturi kërkon të braktisë flamurin shqiptar për mungesë fondesh!
Në një lëvizje të papritur dhe tejet shqetësuese, skiatorja Lara Colturi ka dorëzuar zyrtarisht një kërkesë në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për të braktisur përfaqësimin e Shqipërisë. Arsyeja e këtij vendimi, që është jo vetëm skandaloze por edhe turpëruese për shtetin shqiptar, është mungesa e fondeve dhe infrastrukturës bazike të nevojshme për stërvitje dhe zhvillim.
Lara Colturi, italiane që ka ngritur krenarisht flamurin kuqezi për katër vite rresht, ka sjellë rezultate spektakolare, duke u ngjitur tri herë në podium në Kupën e Botës së fundit dhe duke u renditur e 7-ta në klasifikimin përfundimtar. Pavarësisht këtyre rezultateve historike, shteti shqiptar ka zgjedhur ta braktisë duke mos e mbështetur financiarisht, duke detyruar kampionen të kërkojë rikthimin tek vendi i saj i origjinës, Italia.
Por, a është Lara Colturi një rast i izoluar? Fatkeqësisht, jo.
Luiza Gega, kampionia europiane në atletikë, vazhdimisht ka denoncuar publikisht mungesën e kushteve dhe mbështetjes minimale për të. Në një reagim të ashpër në rrjetet sociale, ajo ka deklaruar më parë: “Unë mund të kem mundësi të blej uniforma, por nuk kam mundësi të blej një pistë tartani ku të stërvitem”. Ky reagim nuk është vetëm i dhimbshëm, por nxjerr në pah indiferencën totale të autoriteteve shqiptare ndaj atyre që i japin vendit njohje dhe prestigj ndërkombëtar.
E vërteta e hidhur është se Shqipëria nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë strategji serioze afatgjatë për zhvillimin dhe ruajtjen e talenteve sportive. Përkundrazi, trajtimi i atletëve elitarë është sa hipokrit aq edhe i pamëshirshëm.
Rama dhe qeveria e tij duken më shumë të interesuar për ceremoni e shfaqje mediatike sesa për mbështetje reale. Është e turpshme që kampionë si Lara Colturi, e cila i dha Shqipërisë 4 medalje ari në Kili, nuk meriton as një vlerësim minimal në rrjete sociale, ndërsa sportistë të tjerë përdoren vetëm për qëllime politike.
Lista e kampionëve të braktisur dhe të detyruar të largohen është tepër e gjatë. Klevis Çelaj, kampion boksi, ka treguar haptazi kushtet e tij mizerabël të jetesës dhe stërvitjes. Edhe pse ka fituar titullin kombëtar, shteti e shpërbleu me një shumë qesharake prej 14 mijë lekësh, që nuk mjaftojnë as për një palë doreza. Për shkak të kësaj indiference ekstreme, ëndrra e vetme e tij është largimi nga Shqipëria.
Elis Guri zgjodhi Bullgarinë për sportin e mundjes, Romela Begaj u detyrua të largohej drejt Kanadasë për peshëngritjen, ndërsa Kristian Demaj e la Shqipërinë për Gjermaninë në boks. Edhe futbolli ka pasur largime të mëdha; Xhaka, Shaqiri, Berami dhe Durmishaj janë vetëm disa nga ata që nuk zgjodhën Shqipërinë pikërisht për mungesën e mbështetjes dhe vlerësimit.
Ky është një turp kombëtar, një alarm i fuqishëm për gjithë sistemin e sportit në Shqipëri. Pa ndërhyrje urgjente, Shqipëria rrezikon të humbasë një brez të tërë kampionësh që do ta linin vendin të njohur vetëm për neglizhencën dhe paaftësinë për të mbështetur bijtë e saj më të mirë.
Ka ardhur koha që shteti të ndërgjegjësohet! Kampionët tanë meritojnë më shumë se heshtje dhe braktisje. Ata meritojnë respekt, vlerësim dhe investime konkrete që shkojnë përtej deklaratave boshe në rrjetet sociale.