Sat, Apr 19, 2025

Shqipëria braktis sportistët! Lara Colturi kërkon largimin, shkak mungesa e fondeve

  • PublishedApril 17, 2025

Shqipëria braktis sportistët! Lara Colturi kërkon largimin, shkak mungesa e fondeve

Skiatorja italo-shqiptare, Lara Colturi, ka dorëzuar zyrtarisht një kërkesë në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për të braktisur përfaqësimin e Shqipërisë dhe për t’iu rikthyer vendit të saj të lindjes, Italisë. Vendimi pritet të merret deri më 1 maj, ndërsa arsyeja kryesore e këtij largimi është mungesa e mbështetjes financiare dhe infrastrukturore nga shteti shqiptar.

Colturi, ka qenë pjesë e ekipit kuqezi për katër vite me radhë, duke sjellë rezultate të shkëlqyera dhe ngritur flamurin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Në Kupën e Botës që u mbajt së fundmi, ajo arriti të ngjitej 3 herë në podium dhe u rendit e 7-ta në klasifikimin përfundimtar.

Ky nuk është rasti i parë ku sportistët shqiptarë jane hasur në pengesa të tilla.

Edhe kampionia europiane në atletikë, Luiza Gega, ka denoncuar herë pas here mungesën e përkrahjes, trajtimit të pabarabartë dhe vonesat në shpërblime. Të tilla parregullsi dhe neglizhenca institucionale rrezikojnë të largojnë emrat më të suksesshëm dhe shpresëdhënës të sportit shqiptar, duke lënë një boshllëk të madh në skenën ndërkombëtare.

Shqipëria rrezikon të humbasë një brez të tërë kampionësh për shkak të mosvëmendjes dhe mungesës së strategjive afatgjata për zhvillimin e tyre.