‘Shtet elektoral’: PS nën akuzë për keqpërdorim të institucioneve për fushatë zgjedhore

Më 2 prill, në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë u shfaq për pak minuta një reklamë politike në favor të kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste në pushtet.
“Voto 5, nga e majta në të djathtë, bashkë për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian, drejt e në qendër të fletës së votimit, PS/Edi Rama,” shkruhej në postimin e Kuvendit, shoqëruar me foton e një pëllëmbe të hapur që do të kthehej më pas në simbolin e Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Postimi propagandistik u fshi nga faqja zyrtare e Kuvendit pas pak minutash dhe përmes një njoftimi, institucioni më i lartë legjislativ premtoi pa kërkuar ndjesë, se nuk do të përfshihej në asnjë formë në fushatën e zgjedhjeve parlamentare.
Megjithatë, përfaqësues të opozitës e cilësuan rastin e mësipërm një shembull tipik të përdorimit të institucioneve publike në zgjedhje dhe e denoncuan atë publikisht.
“Postimi me logon e PS-së dhe numrin e PS-së në fletën e votimit e konsiderojmë shkelje shumë të rëndë, sepse është keqpërdorim i institucionit publik,” tha përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Franc Nuri.
“Mund të jetë bërë dhe pa dashje, por çfarë tregon kjo? Që edhe punonjësi më i thjeshtë që e ka bërë me kokën e tij, e ka bërë se është i pazgjidhshëm shteti me partinë,” shtoi ai për BIRN.
Deputeti Enkelejd Alibeaj, pjesë e koalicionit “Djathtas për Zhvillim” shkoi më tej, duke e denoncuar këtë rast si “krim të rëndë zgjedhor” në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe në Prokurorinë e Posaçme. Por Alibeaj u ankua se denoncimi i tij përmes platformave të ngritura online nuk ishte marrë në shqyrtim.
“Nuk ka ende asnjë reagim. Heshtje varri,” tha Alibeaj.
Përfshirja e Kuvendit të Shqipërisë në propagandë partiake është vetëm një nga rastet e keqpërdorimit të institucioneve në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Nga kryeministri Edi Rama e deri tek ministrat e kabinetit të tij, BIRN identifikoi raste të shkrirjes së kufijve mes pozicionit zyrtar dhe atij partiak në funksion të fushatës elektorale.
Në komunikimet e tij “Sy më sy” me qytetarët nga zyra e tij në kryeministri, Rama mban në plan të dukshëm dy simbolet e fushatës së tij –statujën e një bufi me të cilën ai ironizon rivalin e tij politik, Sali Berisha dhe pesë gishtat e një dore që përkon me numrin e Partisë Socialiste në fletën e votimit.
Më 14 prill, “Qëndresa Qytetare” – një organizatë e shoqërisë civile që monitoron fushatën elektorale denoncoi ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha për përdorimin e mjeteve të Gardës së Republikës për të bërë fushatë për Partinë Socialiste.
“Në shkelje flagrante, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha përdor makinën e shtetit dhe Gardën e Republikës në njësinë numër 1 në Tiranë. Përdorimi i makinës dhe shoqërimi i Gardës jashtë orarit të punës, por në shërbim të ministrit si kandidat për deputet i PS-së, me fletushka që kanë simbole të PS-së si numri 5 përbën vepër penale dhe dënohet me burg,”
BIRN monitoroi gjithashtu llogaritë në Facebook të ministrave të kabinetit “Rama” për periudhën 17 mars – 23 mars 2025, ku rezulton se pjesa më e madhe e postimeve të tyre lidhen me fushatën zgjedhore dhe jo me detyrat e tyre qeveritare.
Në shtatë ditë monitorim, të gjithë ministrat kanë publikuar së bashku 258 materiale propagandistike në faqet e tyre në Facebook, përkundrejt 146 aktiviteteve me karakter ministror.
Vihet re gjithashtu se ministrat promovojnë takimet që bëjnë në komunitet në zonat e tyre elektorale, duke u angazhuar pothuajse me kohë të plotë në fushatë. Në ditë të caktuara, ministrat reklamojnë vetëm aktivitete që lidhen me zgjedhjet e 11 majit.
Ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor kanë shtuar mbikëqyrjen e institucioneve shtetërore në periudhën parazgjedhore, duke i detyruar këto të fundit që të raportojnë çdo aktivitet publik në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve deri 3 muaj para zgjedhjeve.
Po pavarësisht kufizimeve ligjore, Rigers Xhemollari nga Qëndresa Qytetare thote se shkeljet kanë qenë të shumta.
“Shqetësimi ynë më i madh në këtë tremujor ka qenë shndërrimi i shtetit në shtet elektoral,” tha Xhemollari, duke theksuar se në këtë periudhë institucionet kanë rritur transaksionet me individët si në rastin e bonusit të pensioneve apo prokurimet me klientët e tyre.
Franci Nuri, përfaqësues ligjor i Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pohon se deri më tani kanë depozituar më shumë 80 denoncime për një duzinë institucionesh, mes tyre edhe ministri.
Duke iu referuar simboleve partiake të Ramës në zyrën e vet në kryeministri, Nuri tha se: “nuk mund ta trajtosh zyrën e shtetit sipas qejfit”.