Sat, Apr 19, 2025

FOTO/ Pse FIFA e dënoi Shqipërinë? Zbulohen faktet që sollën në mbylljen e 20% të stadiumit “Arena Kombëtare”

  • PublishedApril 18, 2025

FOTO/ Pse FIFA e dënoi Shqipërinë? Zbulohen faktet që sollën në mbylljen e 20% të stadiumit “Arena Kombëtare”

Pak ditë më parë, nga FIFA në zyrat e FSHF-së mbërriti një vendim për të “mbyllur” 20 % të stadiumit në ndeshjen e ardhshme të Kombëtares shqiptare kundër Serbisë, në kualifikueset e Botërorit.

Kjo për shkak se gjatë ndeshjes Shqipëri-Andorrë, ka pasur thirrje diskriminuese nga tifozët kuqezi. Një lajm që nuk u prit mirë në opinionin sportiv dhe pati reagim të fortë nga grupimet e tifozëve.

“Panorama Sport”, me burimet e saj në FIFA, ka zbuluar dokumentin që tregon me detaje procedimin disiplinor që ka bërë delegati, në ndeshjen me Andorrën. Aty faktohet se thirrjet diskriminuese kanë lindur nga sektori N103, (bllok ku ishin vendosur grupimet Tifozat Kuq e Zi dhe Iliryan Elite). Në shënimet që ka mbajtur në dosje delegati, tregohet fare mirë sektori, minuta dhe thirrjet e regjistruara me video në gjuhën shqipe, të cilat janë përkthyer në atë angleze, sa kanë zgjatur ato dhe sa herë janë përsëritur.

Nga tifozët shqiptarë ka pasur thirrje: “Vriti, vriti serbët” dhe po ashtu: “Vrite, shkatërroje, Serbinë masakroje”. Këngë të cilat janë kënduar në minutën e tretë të takimit dhe kanë shkelur Kodin Disiplinor të FIFA-s, në lidhje me nxitjen e urretjes etnike dhe diskriminimin. Më datën 2 prill, FSHF-ja është informuar për diçka të tillë dhe pas disa ditëve ka ardhur dhe vendimi për “mbylljen” e 20 % të stadiumit për ndeshjen e ardhshme.

INCIDENTI

1- Në shkresën e hapjes së procedimit disiplinor nga Komisioni i Disiplinës në FIFA, sqarohet shumë qartë me detaje se pse është marrë ai vendim ndaj FSHF-së. Është faktuar nga delegati i ndeshjes me Andorrën në “Arenën Kombëtare”, që në fillimin e takimit nga tifozë shqiptarë, ku jepet edhe sektori përkatës apo edhe minuta e incidentit, se nga kanë ardhur ato thirrje diskriminuese. “Incidenti ka nisur në anën veriore të stadiumit, përkatësisht në sektorin N 103, nga tifozët shqiptarë, në orën 20:48, minuta e tretë e ndeshjes. Tifozët shqiptarë kanë kënduar këngë ksenofobike. Një grup prej afërsisht 50 tifozësh të pozicionuar në anën veriore, blloku N103 këndonin: ‘Vriti, vriti, vriti serbët’. Kënga ka zgjatur rreth 15-20 sekonda. Kënga ‘Vriti, vriti, vriti serbët ka nxitur urrejtjen ndëretnike dhe dhunë ndaj etnisë serbe. Nuk pati asnjë reagim nga lojtarët ose zyrtarët e ndeshjes (përfshirë arbitrat) ose tifozët. Ky incident nuk u përsërit”, është shkruar në procedimin disiplinor. Panorama Sport


AlbaniaWeb.net