“Rëndësi ka mbijetesa”, Shkëmbi “driblon” të ardhmen e tij tek Tirana
Tirana do të sfidojë Teutën të shtunën pasdite në stadiumin “Arena Kombëtare”, një sfidë ndaj një rivali direkt për mbijetesë, që mund të jetë deçizive për sezonin e skuadrës së Bledi Shkëmbit. Vetë tekniku korçar i kryeqytetasve e di fare mirë se në këtë fazë të sezonit është e ndaluar për të gabuar, ndërsa fillimisht prek situatën tepër delikate që skuadra që ai drejton po kalon.
“Sfidë e vështirë, moment i vështirë, për fat të keq vazhdojmë në të njëjtën situatë, kemi shumë shpresë që para ndeshjeve të jemi më të qetë, por vazhdon njësoj edhe në javën e parafundit. Kemi mungesa por jemi në një moment që nuk qajmë mungesat, por duhet të bëjmë maksimumin me lojtarët që kemi në dispozicion”.
Tirana në këtë fund sezoni do të vuaj edhe mungesat, mbi të gjitha ajo e Ernest, megjithatë tekniku Shkëmbi beson se lojtarët që do të hidhen në fushë do të japin maksimumin: Unë e thash dhe para një javë, që kemi krijuar një mënyrë loje, por jam i kënaqur me atë që bëri skuadra me Skënderbeun, dhe jam i bindur që lojtarët që do të aktivizohen do të bëjnë maksimumin edhe kundër Teutës. Në këtë moment të mos kishim mungesa do të ishte diçka ideale, por mendoj që e rëndësishme është ana psikologjike, ajo që po flisnim deri tani, shpresoj shumë që lojtarët të mos ta ndjejnë më shumë se sa duhet këtë ndeshje. Gjithmonë ka një herë të parë dhe shpresoj ta mundim tani Teutën.
Në fund lidhur me të ardhmen e tij në fund të këtij sezoni tek bardheblutë, Bledi Shkëmbi u përgjigj: Sinqerisht unë në asnjë moment se kam menduar nëse do të jem apo jo tek Tirana, qëkur jam rikthyer kam menduar vetëm një objektiv dhe dua që me skuadrën ta arrijmë, është e parëndësishme se çfarë do të bëjmë, për mua dhe klubin është e rëndësishme të heqim këtë siklet që kemi”, deklaroi Shkëmbi.