Ruleta e penalltive dënon Lazio-n, Bodo/Glimt shkruan historinë në Evropë, Baroni: Më vjen keq, e meritonim të kalonim turin
Lazio-s i duhej një mrekulli përballë Bodo/Glimit, në një kohë kur humbja 2-0 në sfidën e parë e ndërlikonte shumë objektivin e ekipit të Hysajt, por në kryeqytet skuadra e Baronit shfaqi karakter dhe dëshirë duke zhbllokuar ndeshjen që në minutën e 20-të me Castellanos. Goli i shpejtë krijoi iluzionin se Lazio do ta kishte të thjeshtë të rikthehej në garë, por gjërat nisën të ndërlikoheshin me kalimin e minutave.
Atëherë kur gjërat po shkonin drejt fundit, në minutën e 93-të, Noslin përfitoi nga një rrëmujë në zonë duke shtyrë topin në rrjetë, një goli i cili bëri që ndeshja të shkonte në shtesë. Nga minuta e 94-ët, Baroni hodhi në fushë edhe Elseid Hysaj.
Të shtyrë dhe nga tifozët e shumtë, Lazio gjeti golin e tretë me Dia-n në minutën e 100-të, por Bodo/Glimt reagoi shpejt, ku nëntë minuta më vonë Helmersen me një goditje të saktë me kokë gjeti golin për ekipin norvegjez duke bërë që fati i këtij takimi të vendosej nga ruleta e penalltive.
Në këtë pikë, Lazio ishte e pafat teksa gabuan në 3 nga 5 tentativa duke bërë që Bodo/Glimt të bëhet ekipi i parë norvegjez që arrin të kualifikohet për në fazën gjysmëfinale të Europa League.
Pavarësisht se nuk arritën të kalonin më tej, trajneri Baroni vlerësoi ekipin e tij për këtë paraqitje dhe rrugëtim në Evropë: “Më vjen keq pasi e meritonim të kalonim turin. Ekipi zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer, atmosfera ishte fantastike. Krijuam disa raste dhe me vjen keq se si përfundoi, por jam krenar për djemtë, për publikun”, u shpreh Baroni.
()