Analisti amerikan: Dritëhijet e kompanisë që menaxhon Portin e Durrësit. Roli i dyshimtë i Ballukut dhe si po tentohet të pengohet lufta kundër drogës
Nga Ivan Sascha Sheehan
Administrata e presidentit Donald Trump ka ndërmarrë një qëndrim të ashpër kundër fluksit të drogave të paligjshme që hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Në kuadër të masave të fundit në politikën tregtare, është vendosur një tarifë prej 25% për të gjitha mallrat që importohen nga Meksika. Kjo masë u mor si përgjigje ndaj, siç u shpreh Trump, “fluksit të papranueshëm të drogave ilegale” që hyjnë nga kufiri jugor. Një ndër shqetësimet më të mëdha për administratën ka qenë fentanili.
Zyrtarë të lartë në Shtëpinë e Bardhë janë zotuar se do të “shpallin luftë” ndaj karteleve ndërkombëtare të drogës që kontrollojnë rrjetet globale të trafikut.
Ndërkohë që ndalimi i tregtisë së fentanilit dhe forcimi i sigurisë kufitare mbeten prioritete kryesore të administratës Trump, zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësim për qasjen e Bashkimit Europian, të cilin e akuzojnë se po “mbyll sytë” ndaj trafikut të paligjshëm të narkotikëve në kontinentin europian. Kjo mungesë reagimi, sipas tyre, po ndihmon në zgjerimin e perandorive të drogës në Amerikën Latine dhe më gjerë.
Ndërkohë që trafiku i drogës është një çështje e njohur në shumë vende evropiane, vendi ballkanik i Shqipërisë së fundmi është vënë në qendër të kritikave, pas një hetimi të ri që ka nxjerrë në pah praninë e mafies shqiptare në Ekuador. Në mënyrë shqetësuese, krimi i organizuar shqiptar tashmë kontrollon pjesën më të madhe të rrjedhës së kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.
Megjithëse Ekuadori nuk është prodhues i drogës, sot 70% e kokainës në botë kalon përmes porteve të tij, kryesisht nga Kolumbia dhe Peruja. Ata që kapen në zinxhirin e furnizimit si dhe ata që preken nga pasojat e dhunshme të këtij tregu, besojnë se përgjegjësia qëndron te vendet konsumuese, pasi rritja e kërkesës nxit kontrabandën.
Ajo që është e sigurt, është se pa një luftë të vendosur të Evropës kundër trafikut të narkotikëve brenda territorit të saj, përpjekjet e SHBA për të luftuar substancat e ndaluara në Amerikën e Veriut do të bëhen gjithnjë e më të vështira.
Përveç nevojës për të ulur kërkesën për konsum droge, vendet evropiane duhet të marrin gjithashtu përgjegjësi për sigurinë e kufijve të tyre, pasi portet e Evropës janë veçanërisht të prekshme ndaj kontrabandës së drogës. Në dekadën e fundit, është shënuar një rritje e konsiderueshme e përdorimit të transportit me kontejnerë për trafik droge drejt kontinentit.
Situata ndërlikohet më tej nga shqetësimet për sigurinë që lidhen me pronësinë kineze të shumë porteve evropiane, përfshirë ato në Spanjë, Gjermani, Belgjikë, Poloni, Suedi, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Europol është në një luftë të vazhdueshme me organizatat kriminale që transportojnë me shpejtësi sasi të mëdha kokaine me kontejnerë nga Amerika e Jugut drejt BE-së, përmes porteve kryesore si Hamburg, Antwerp dhe Roterdam. Gjatë një hetimi të vitit të kaluar, Europol sekuestroi 35 ton metrikë kokainë në këto porte të gjitha të nisura nga Ekuadori dhe dërguara nga Kolumbia, Surinami, Guajana dhe Paraguaj.
Portet shqiptare nuk bëjnë përjashtim. Përveç hetimit të fundit të publikuar nga BBC, edhe politikanët vendas shqiptarë kanë shprehur shqetësime lidhur me përfshirjen e mundshme të vendit në aktivitete të paligjshme. Si një shembull ilustrues, ish-ministri i Drejtësisë së Shqipërisë ka theksuar veçanërisht problemin e korrupsionit që shoqëron menaxhimin e porteve në vend, duke përmendur rastin e Portit strategjik të Durrësit, i cili u përfshi në polemika ndërkombëtare pas shitjes së tij ndaj një subjekti kroat (Schapha doo), me qëllim kontrollin e portit.
Ai pretendon se në këtë transaksion ishte e përfshirë edhe Ministrja Shqiptare e Energjisë, Infrastrukturës dhe Transportit, znj. Belinda Balluku, e cila sipas tij ka udhëzuar ish-drejtuesit e portit të bashkëpunonin me kompaninë shumëkombëshe MAERSK.
Nëse kjo rezulton e vërtetë, atëherë drejtuesit rajonalë të MAERSK mund t’i kenë dorëzuar në mënyrë efektive të drejtat për operimin 45-vjeçar të portit një oligarku shqiptar, nën emrin e kompanisë kroate.
Sigurisht, çdo individ, kompani apo shtet meriton prezumimin e pafajësisë derisa të sigurohen prova konkrete dhe të vërtetohen faktet. Nuk mund të pretendohet faj vetëm mbi bazën e dyshimeve.
Megjithatë, nëse kompania në fjalë ka lidhje me Ekuadorin dhe Kolumbinë, siç është pretenduar, atëherë rrjeti i trafikut të drogës në Shqipëri dhe situata përkatëse e sigurisë mund të jenë më të ndërlikuara dhe më të komprometuara sesa mendojnë disa.
Qëndrimi i ashpër i administratës Trump ndaj tregtisë së paligjshme të drogës tregon synimin e qartë për të goditur kartelet dhe për të ndërprerë rrjedhën e drogave të paligjshme drejt SHBA-së.
Megjithatë, këto përpjekje pengohen nga mungesa e bashkëpunimit nga ana e Evropës, e cila vazhdon të shërbejë si një pikë kyçe tranziti për narkotikët që vijnë nga Amerika Latine. Dominimi i mafies shqiptare në rrugët e trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës thekson seriozitetin e kësaj çështjeje.
Lufta kundër tregtisë së drogës kërkon përgjegjësi të përbashkët dhe angazhim të plotë. Kontributi i Evropës nuk mund të mbetet më pasiv, autoritetet e BE-së duhet të ndërmarrin hapa të vendosur për të forcuar kufijtë, për të luftuar korrupsionin dhe për të ulur konsumin e drogës. Ka ardhur koha që Evropa të veprojë me vendosmëri, duke u bërë një partnere aktive dhe jo pengesë në përpjekjet globale për të luftuar pasojat shkatërruese të trafikut të drogës.
***
Townhall është një media amerikane me orientim të qartë konservator, e njohur për mbështetjen e saj të hapur ndaj Presidentit Donald Trump dhe politikave të tij.
Platforma transmeton edicione lajmesh të përditshme përmes rrjetit Salem Radio Network dhe kanalit Sirius XM Patriot Channel 125, duke ofruar analiza dhe komentime nga kolumnistë të djathtë dhe politikanë të profilit të lartë republikan.
Ndër kontribuesit e saj të rregullt apo të ftuar kanë qenë emra të afërt me familjen Trump, si Eric Trump, Donald Trump Jr. dhe Lara Trump./ Townhall
()