Sun, Apr 20, 2025

Berisha me Kryepeshkopin Joan: U përpoqën ta fshijnë dhe opozitën, por u ringjall që të përzejë antikrishtin nga trojet shqiptare

  • PublishedApril 20, 2025

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me Kryepeshkopin Joan, ku theksoi rëndësinë e përkushtimit të Kishës Ortodokse dhe forcimin e pluralizmit në Shqipëri.

Berisha ka vlerësuar punën e madhe të Kryepeshkopit Joan, duke e cilësuar si një pasues të denjë të Imzot Janullatos, i cili, sipas tij, ka bërë një punë të çmuar për të ringritur fenë dhe besimin fetar në Shqipëri.

“Punën e madhe të çmuar që bëni në vazhdim të veprës së pavdekshme të Imzot Janullatos, i cili punoi me një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe ngriti nga rrënojat besimin dhe kishën,” u shpreh Berisha.

Ai gjithashtu theksoi se, ndërsa në Shqipëri u bë një përpjekje për të fshirë pluralizmin dhe besimin fetar, ky fenomen u ringrit dhe u forca pas periudhës së vështirë. “Historia e Krishtit Mbret është ripërsëritur në Shqipëri, sepse edhe këtu u mendua që ta rrafshonin fenë dhe besimin fetar, por ju u ngritët nga hiri dhe ngritët një performancë të shkëlqyer, me mbështetje të gjerë nga besimtarët dhe institucionet,” tha Berisha.

“Urimet më të përzemërta, nderimin më të madh Fortlumturisë së Tij, Joani dhe të gjithë klerit ortodoks shqiptar, të gjithë besimtarëve ortodoks të Shqipërisë, këtë ditë ringjallje.
Ringjallja, në një farë mënyre, të duket se ka një djep edhe në Shqipëri.
Ringjallja e Krishtit është ngjarja më e madhe në historinë e qytetërimit perëndimor.
Por edhe ringjallja e besimeve fetare nga këta burra të përkushtuar pafundësisht që i ngritën ato nga shkrumbi, nga hiri i diktaturës dhe i shndërruan sot në institucione të dashura, të respektuara, të fuqishme që japin një ndihmesë shumë të madhe, si në mësimet e shenjta ashtu dhe në shkollimin, në ndihmën e atyre që janë më në nevojë.
Një ndihmë të pazëvendësueshme.
Kështu që, në një mënyrë, historia e tyre është historia e ringjalljes.
Pra, është dëshmi e pavdekësisë.
Në fakt e ka një analogji edhe me opozitën shqiptare.
U përpoqën ta fshijnë nga faqja e dheut, u ringjall, u ringjall dhe sot është me e fuqishme se kurrë, që të përzejë antikrishtin nga trojet shqiptare”, tha Berisha.


AlbaniaWeb.net