Arrestimi i zyrtarëve të Policisë Rrugore, Bodlli zbulon rastin e goditur nga SPAK: U paguan 2 mijë euro që të mos arrestohej shkaktarja e një aksidenti
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka lëshuar urdhër-arresti ndaj tre zyrtarëve të Policisë Rrugore në Tiranë, mes tyre edhe shefin e Komisariatit, Roven Zeka.
Në pranga kanë rënë gjithashtu edhe shefi i oficerëve të Policisë Gjyqësore për Aksidentet, Sokol Novaku, si dhe oficeri Edison Tabaku.
Gazetari Klajdi Bodlli, i ftuar në emisionin “Open” në News24, ka zbuluar detaje të reja nga dosja hetimore. Sipas tij, ngjarja ka ndodhur më 16 prill në Tiranë, kur një aksident automobilistik përfshiu dy automjete. Në njërin prej mjeteve udhëtonin pesë persona që përfunduan në spital, ndërsa autorja e aksidentit, një grua, duhej të arrestohej sipas procedurës ligjore.
Por, sipas SPAK, në vend të ndjekjes penale, gruaja ka komunikuar me oficerin Edison Tabaku, të cilit i ka premtuar një shumë parash për të shmangur ndalimin. Hetimet kanë zbuluar se Tabaku dhe Roven Zeka kanë përfituar rreth 2 mijë euro në këmbim të mosarrestimit të shtetases.
“SPAK ka provuar se pagesa është bërë pranë një komisariati policie, dhe paratë janë marrë nga zoti Tabaku,” tha gazetari Bodlli.