Kontributet për sigurimin e bujqve, eksperti Hoxha sqaron kushtet dhe dokumentacionin që duhet dorëzuar: Ja ndarja sipas zonave bujqësore
Mëngjesin e sotëm në “Koha për t’u zgjuar” në News24 ishte i ftuar eksperti i pensioneve Kujtim Hoxha, i cili u ndal tek kontributet e bujqve.
Ai ka sqaruar kushtet që duhet të plotësojë bujku ose blegtori për t’u siguruar si dhe dokumentacionin që duhet të dorëzojë.
“Të vetëpunësuar në bujqësi ose bujqit privat kanë nisur të sigurohen që në 1.10.1993. Është parashikuar mënyra se si dhe në çfarë kushtesh duhet të sigurohet i vetëpunësuari në bujqësi. Duhet të ketë tokën bujqësore me ligjin 7501 ose kanë tokë me qera me kontratë, duhet të jenë banorë të zonës ku ushtrojnë aktivitetin.
Sa i përket dokumentacionit, janë:
Certifikatë e datës 1 gusht 1991 si ka qenë në atë kohë,
Dokumenti që ka përfituar tokë nga ligji 7501 që merret në komunë
Të ketë plotësuar moshën 16 vjeç e lart”, tha ai.
Eksperti Hoxha ka sqaruar gjithashtu për shifrën e cila duhet përdorur për t’u siguruar, shifër e cila dallon nga zonat fushore në ato malore, duke dashur të favorizohen pak ato persona që jetojnë në kushte më të vështira.
“Pagesa për zonat fushore ka nisur me 1620 lekë të rinj në vit deri në 2002, sot është 42 mijë lekë, ndërsa në zonat malore parashikohet në shifrën 32 mijë lekë të reja në vit.
Gjithashtu bujqit kanë të drejtë të blejnë periudha edhe për periudha që mund të kenë mbetur pa siguruar. Por do ti paguajnë me tarifat e sotme, jo me shifrat që kanë qenë psh deri në 2002”, tha ai.