Mon, Apr 21, 2025

“Propozuam të parët pensionin minimal 200 euro, na thanë s’ka para”, Lapaj nga Berati: Qytetarët të ndëshkojnë arrogancën me votë

  • PublishedApril 21, 2025

Kryetari i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, gjatë një takimi me qytetarët në Berat në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ka sulmuar kryeministrin Edi Rama për qëndrimin e tij ndaj qytetarëve dhe për trajtimin e çështjes së pensioneve.

Lapaj u ndal veçanërisht te komunikimi i kryeministrit me të rinjtë, duke e cilësuar gjuhën e përdorur si të papërshtatshme dhe fyese. “Rama sot ka mbledhur fëmijët e këtij vendi dhe u ka folur në një mënyrë harbute, duke u treguar gjëra që nuk janë të hijshme as për një qytetar normal, jo më për një kryeministër,” tha ai, duke i bërë thirrje qytetarëve që ta ndëshkojnë me votë arrogancën e pushtetit.

Në fjalën e tij, Lapaj rikujtoi premtimin e forcës që ai përfaqëson për rritjen e pensioneve në minimum 200 euro dhe akuzoi qeverinë se u përpoq ta zhbëjë këtë nismë përmes presioneve dhe propagandës.

“Kur thamë se nuk do ketë pension nën 200 euro, patronazhistët e Ramës u hodhën menjëherë duke thënë se s’ka para. Por për qylaxhinjtë e pushtetit paska. Pastaj kryeministri filloi ta marrë me ironi, fliste për qilima fluturues. Dhe kur pa se nuk i funksionoi, e tha vetë se do ta bëjë pensionin 200 euro,” tha Lapaj.

Ai e quajti një fitore të madhe faktin që qeveria është detyruar të pranojë një kërkesë të drejtë që ende pa u mbajtur zgjedhjet. “Jam krenar që pa u bërë ende zgjedhjet, ne kemi arritur një fitore: pensioni minimal 200 euro për prindërit dhe gjyshërit tanë,” u shpreh ai.

Lapaj u bëri thirrje qytetarëve të mos pranojnë të nënshtrohen ndaj arrogancës dhe të votojnë për ndryshimin që, sipas tij, ka nisur që tani.


AlbaniaWeb.net