Tabaku: Po dështojmë me dhuratën që na ka dhënë Zoti. Fshati po braktiset, bujqësia po fundoset!
Në një takim me fermerët në një nga zonat rurale pranë Tiranës, kandidatja për deputete në listën e hapur të Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, solli në vëmendje gjendjen dramatike të bujqësisë dhe braktisjen e fshatit. Në një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë me fermerët, ajo theksoi se Shqipëria po dështon në një nga pasuritë më të mëdha që ka: tokën dhe njerëzit e punës.
“Po dështojmë me atë që na ka dhuruar Zoti – me bujqësinë. Po dështojmë me fermerin,” – deklaroi Tabaku me keqardhje, ndërsa shprehu shqetësimin për fshatrat e zbrazur dhe mungesën e brezit të ri që t’i punojë tokat.
Fermerët ndanë me Tabakun vështirësitë e shumta me të cilat përballen çdo ditë – nga mungesa e krahut të punës, taksat e larta, konkurrenca e padrejtë me importet, te karburanti e çmimi i energjisë elektrike.
“Nafta na shtrenjtohet çdo ditë. Energjia po ashtu. Dhe për më tepër, ne jemi në të njëjtën fashë TVSH-je me importuesit. Kjo është një padrejtësi,” – u shpreh një prej fermerëve.
Tabaku u zotua për një program konkret për fshatin dhe për diasporën. “Për shqiptarët që kthehen nga jashtë kemi një plan: 5 vite pa taksa për ata që duan të investojnë në fshat,” – deklaroi ajo.
Ajo premtoi gjithashtu:
Uljen e TVSH-së për bujqësinë në 6%;
Subvencione të drejtpërdrejta për fermerët;
Përdorim real të fondeve IPARD, që aktualisht mungojnë për shkak të korrupsionit;
Rilidhjen e bujqësisë me turizmin si një motor zhvillimi për zonat rurale.
“Fshati ka nevojë për gjëra të vogla, por duhet ta duash që t’i bësh. Ne e kemi këtë dashuri dhe e kemi këtë vizion,” – theksoi Tabaku.