Momentet e fundit të Papa Françeskut: I bëri shenjë me kokë infermierit
Papa Françesku ndërroi jetë brenda rreth 30 minutash mëngjesin e së hënës pasi u zgjua nga gjumi në orën 6 të mëngjesit dhe ishte mirë për të paktën një orë.
Mediat e huaja shkruajnë se rreth orës 7 të mëngjesit, qendra shëndetësore e Vatikanit mori një telefonatë urgjente nga shtëpia e tij në bujtinën Santa Marta ku kishte zgjedhur të jetonte. Stafi mjekësor vlerësoi ndër të tjera mundësinë e transferimit të Papës në spitalin “Gemelli”, ku ai ishte shtruar për pneumoninë në shkurt dhe mars.
Përveç kësaj, policia e Romës mori një kërkesë urgjente për një shoqërim pas orës 7 të mëngjesit. Megjithatë, gjendja e Françeskut u përkeqësua shpejt dhe kërkesa u anulua.
Papa Françesku i bëri shenjë me kokë infermierit të tij personal Massimiliano Strapetti dhe ra në koma. Papa Françesku ndërroi jetë në orën 7:35 në moshën 88-vjeçare.
“Ai nuk vuajti, gjithçka ndodhi shumë shpejt”, thanë dëshmitarët për “Vatican News”, median zyrtare e Selisë së Shenjtë.
“Faleminderit që më ktheve në shesh”, këto ishin fjalët e Papa Françeskut drejtuar infermierit të tij personal, i cili e nxiti të bënte një xhiro të fundit nëpër sheshin e Shën Pjetrit me mjetin e tij special të dielën e Pashkëve.