Skënderbeu i izoluar, sytë nga Doka e Estrela. Gjoka nis planin për të mundur Bylisin
Pas barazimit me Egnatian në Rrogozhinë, korçarët kanë dilemat e veta sa i përket fundit të sezonit. Me një ndeshje përcaktuese përballë Bylisit në shtëpi, që mund të sjellë të gjitha versionet për verdiktin final të sezonit, ankthi dhe pritshmëria është në kuota maksimale.
Një gjë e tillë është kthyer në një peshë më shumë për klubin dhe ekipi, që nga dita e djeshme, është rikthyer në Korçë për të punuar rreth ndeshjes së fundit të sezonit. Ndeshje që, ashtu siç ka të gjitha rezultatet brenda, mbart me vete edhe të gjithë skenarët në varësi të asaj çka do të prodhojë java e fundit e Superiores.
Por për trajnerin Ernest Gjoka gjithçka varet në këmbët e ekipit, ndaj edhe për këtë kryepankina korçare ka vendosur që të mbajë skuadrën e përqendruar vetëm te ndeshja e tyre e fundit për këtë sezon. Kjo, pasi nëse Skënderbeu bën detyrën ndaj Bylisit, çdo makth largohet dhe korçarët sigurojnë mbijetesën. I bindur te ky fakt, trajneri ka filluar punën që dje, duke nisur gjithçka me një takim analize në dhomat e zhveshjes me qëllimin për të motivuar të tijtë në prag të këtij takimi kaq të rëndësishëm.
Më pas, e gjithë vëmendja është fokusuar në fushë, atje ku Gjoka ka drejtuar ekipin në një seancë stërvitore tejet strikte për të përmirësuar çfarë të mundet sa u përket manovrave të grupit në dy fazat e lojës. Ekip i përqendruar në kushte loje dhe i ndërtuar në mënyrë që të zbatojë skemat e trajnerit, kjo ka qenë seanca e parë e korçarëve në juglindje, ku nuk kanë munguar këshillat dhe kritikat e stafit në situata të ndryshme gjatë stërvitjes.
GRUPI – Nëse ndaj Egnatias Skënderbeu kishte mungesa të rëndësishme siç ishin Doka dhe Estrela, në këtë takim korçarët shpresojnë të kenë një grup të plotë në dispozicion. Me Estrelën që ka kaluar pezullimin për shkak kartonësh, bardhekuqtë janë më komodë, pasi rigjejnë njeriun që i ka dhënë shumë mesfushës së ekipit, duke u diktuar lojës së korçarëve një gjysmë marshi më shumë në organizim. Nga ana tjetër, e gjithë vëmendja është e përqendruar te gjendja e Dokës. Ishmbrojtësi i kombëtares vijon të ketë probleme fizike, për të cilat mungoi edhe në ndeshjen e kaluar. Por stafi teknik është sy e veshë nga infermieria për një rikuperim “blitz” të tiranasit, që do të ishte një vlerë e shtuar për ekipin në një ndeshje kaq përcaktuese. Lajmet nga stafi mjekësor janë pozitive teksa pritet edhe një ekzaminim i fundit për të parë me siguri gjendjen e lojtarit dhe disponueshmërinë e tij në këtë ndeshje.