Tue, Apr 22, 2025

“Ti i pesti, Liri i shtati…”/ Krimet zgjedhore, “Në Shënjestër” zbardh mesazhet: Si e ndihmuan “të fortët e Shijakut” Jurgis Çyrbjen të zgjidhej 2 herë deputet

  • PublishedApril 22, 2025

Emisioni “Në Shënjestër” ka trajtuar mbrëmjen e sotme krimin zgjedhor, cenimin e votës së lirë në Shqipëri, referuar rasteve të publikuara në media, disa prej të cilave janë pjesë e hetimit të SPAK.

Ndryshe nga vitet e shkuara, për parandalimin e krimit zgjedhor gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, SPAK është angazhuar për identifikimin dhe parandalimin e ndikimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit të funksionarëve shtetërorë dhe subjekteve private në procesin zgjedhor për të siguruar një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor.

Rasti i ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja është një prej tyre ku nga të dhënat e përgjimeve të SkyECC, rezultoi se emri i tij ishte i diktuar nga eksponentë të krimit të organizuar, të cilit siç edhe në bisedat e zbërthyera në aplikacionin SkyECC ai i kishte shërbyer në forma të ndryshme.

Devotshmëri që e kishte shpërblyer edhe renditjen në listë të sigurt të kandidatëve për deputetë të Qarkut Durrës, aty ku krimi kishte shtrirë tentakulat e veta dhe bënte ligjin, duke vendosur edhe se kush do shkonte në parlament dhe kush jo.

“Tashi sa e mbylla muhabetin tënd se kam 3 orë me atë, po mos fol me njeri se na prishin pun. Se ja kërkova personalisht. Do ja çoj ashtu tha, normal ti i pesti, Liri i shtati”, thotë Altin Hajri, një nga krerët e grupeve kriminale në zonën e Shijakut, sipas të dhënave të dosjes hetimore ndaj ish-deputetit Jurgis Çyrbja i cili shprehet se tani ndjehet i qetë shpirtërisht pas këtij lajmi.

Në dosjen hetimore përmendet dhe një emër tjetër, Julian Meçaj, ish-anëtar i bandës së Durrësit, i interesuar që Jurgis Çyrbja, për të cilin mesa duket se krimi në zonë ka hapur një garë se kush e kush ta rendisë sa më lart në listën e sigurtë.

Sipas dosjes hetimore, Meçaj gjatë periudhës parazgjedhore të 25 Prillit 2021, mban raporte të ngushta me deputetin Jurgis Çyrbja.

Dhe ashtu siç pritej Jurgis Çyrbja nuk ka harruar të falenderojë bamirësin e tij, të cilit i tregon se sa i qetë ndihet shpirtërisht tani që mori këtë lajm.

“Ok vëllai. Rrofsh, je i madh. Na ngrite moralin se na kishte ik mendja”, thotë Çyrbja, referuar përgjimeve të bisedave në SKYECC.

()


AlbaniaWeb.net